Kishte bërë gati edhe stafin, Skënder Gega nuk duket ende askund në Jordani

Pas largimit nga Partizani, me të cilin arriti të ngrinte lart titullin kampion të Superiores në sezonin e shkuar, Skënder Gega pritej të niste një aventurë të re. Këtë herë në një tjetër kontinet, në atë aziatik ku do të drejtonte në kampionatin e Jordanisë. Gjithçka ishte vendosur dhe Gega do të ulej në stolin e Al Ramtha në fillim të këtij muaji. Madje vetë trajneri kishte zgjedhur edhe stafin me të cilin do të punonte dhe e vetmja gjë që mungonte ishte hedhja e firmës në kontratë për të bërë më pas çdo gjë zyrtare.

Megjithatë disa javë kanë kaluar dhe zyrtarizimi i Skënder Gegës në krye të pankinës së Al Ramtha-s ende nuk ka ardhur. Një vonesë e tillë bën që të ngrihen dyshime nëse diçka ka ndryshuar dhe palët nuk do jenë në gjendje të nisin bashkëpunimin e tyre, megjithëse nuk ka asgjë konkrete që vërteton këtë hipotezë të re./Sport Ekspres/