Kamza, ndaj Kukësit udhëkryqi i sezonit

Që nga fitorja në Kukës, të besuarit e Ndreut kanë bërë shumë pak. Rezultati i së dielës do të tregojë objektivat e Kamzës

Kamza ka mundur që këtë edicion të marrë rezultate mjaft pozitive, por në javët e fundit ka çaluar jo pak. Befasia e fundit e Kamzës është regjistruar pikërisht ndaj Kukësit, teksa në ndeshjen e parë të fazës së tretë arriti që të merrte një fitore në ”Zeqir Ymeri”. Që nga ajo ndeshje kamzlinjtë kanë mundur që të marrin vetëm 5 pikë në 8 ndeshjes. Kjo ka bërë që tani Kamza të ketë pikëpyetje dhe objektivat e saj sezonal. Edhe pse në dy fazat e para pa frikë mund të thuhej se do të jetë në garë për vendet që të çojnë në Europë, tani duhet parë dhe nga fundi i klasifikimit, sepse Vllaznia dhe Teuta janë afruar ndjeshëm dhe vendi i 9-të tani është vetëm 5 pikë larg.

Edhe pse te Kamza janë të bindur se nuk rrezikojnë, e dinë mirë se duhet që të rikthehen te sukseset. Kamza ka një organikë të admirueshme, pasi në skuadër ka mjaft kualitet, por në një fazë të tillë pikët janë ata që vlejnë shumë. Nga ndeshja me Kukësin te ndeshja me Kukësin një ecuri për t’u harruar. Tani skuadra e Ndreut ka si synim që të marrë një rezultat kthese ndaj kampionëve në fuqi. Mund të konsiderohet dhe si udhëkryqi i sezonit, pasi një fitore do të bënte që të shihte sërish nga vendet e para, por humbja në anën tjetër do të ishte një goditje e madhe që do i fuste në vallen e mbijetesës. Javët e fundit pritet që të jenë shumë të vështira dhe ndeshjet në shtëpi janë shumë të rëndësishme.

Ndaj Kukësit këtë edicion Kamza ka mundur që të marrë 4 pikë, por ka qenë mjaft dinjitoze në të treja ndeshjet. Në javën e parë të kampionatit Kukësi fitoi vetëm falë një 11-metërshi, ndërsa në fazën e dytë vetëm një supergol i Rrumbullakut i hoqi Kamzës fitoren, për të shkuar te ndeshja e fazës së tretë ku vendosi Ermir Rezi. Koha në dispozicion ka qenë e mjaftueshme dhe kjo mund t’i favorizoi ndaj kuksianëve që kanë pasur ndeshje dhe në mesjavë. Një ndeshje vendimtare për fatin e debutuesve, që do të ndajnë dhe objektivin e tyre pas rezultatit me verilindorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *