I tjetërsuar në pamje dhe mes të qarave, Mihajloviç: Nuk dua të kthehem më në spital!

Trajneri i Bolonjës, Mihajloviç, po tregon një karakter të jashtëzakonshëm dhe zhvilloi betejën e jetës, atë ndaj sëmundjes së leukemisë. Në asnjë rast nuk është dorëzuar, madje edhe në momentet më të vështira dhe në gjendjen më të rëndë, ulej në stol për të marrë forca nga brohorimat e tifozëve dhe fusha e blertë.

Por pavarësisht kësaj, sëmundja e ka lënë shenjën e saj në tjetërsimin e pamjes fizike të këtij trajneri. Mes të qarave në konferencën e fundit, Mihajloviç i ka munguar shumë ajo jetë e qetë dhe normale, që gjithmonë do të kulmonte me një ndeshje futbolli.

“Katër muajt e vështirë janë pas meje. Unë kam qenë në Institutin Sant Orsola ku kam pasur kimioterapi dhe me karakterin tim të fortë arrita deri këtu. Në ato momente, u desh shumë forcë mendore, të cilën e mora nga ekspertët në Institut. Të gjithë ishin plotësisht të përkushtuar për mua, nëse nuk do të ishin për të gjithë këta njerëz, nuk do të isha para jush tani. Faleminderit për gruan time, Ariana, e cila erdhi me mua gjatë kësaj periudhe të tmerrshme. Më falni, emocionet më mposhtën. Më falni për të qarën time këtu. Unë nuk dua të shkoj më në spital, por të ndiej jetën”, do të shprehej mes lotëve Mihajloviç. /Sport Ekspres/