“I kemi dhënë tonin kampionatit“, Halili largon dyshimet për trukim: Çfarë përgjigje tjetër mund të kemi, kur fituam ndeshjen?

Tirana ka mposhtur pastër Bylisin me shifrat 2-0 ditën e sotme, duke shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të kenë Teutën. Një fitore që përpos finales ka edhe një tjetër vlerë për bardheblutë, të cilët janë përpjekur të venitin atë gjysmëfinale të parë aq shumë të polemizuar.

Presidenti Refik Halili ka folur për rezultatin e arritur kundër ekipit mallakastriot, duke përgëzuar lojtarët për ndeshjen e bërë. Sipas tij përgjigjen për dyshimet e sfidës së parë në “Adush Muça” e kanë dhënë sot në fushë, si dhe vazhdon t’i mëshojë faktit se kampionati i bërë deri më tani ka qenë model.

“Kam shumë gjëra për të thënë, por e rëndësishme është që skuadra luajti mirë. Çunat i përgëzoj për ndeshjen që bënë. Mund të them se është një kënaqësi e madhe, pasi shkojmë pranë dy objektivave që i kemi pasur, por edhe nuk i kemi pasur në plan. Në fillim menduam vetëm për kampionatin, por me sakrificën e lojtarëve kapëm edhe finalen e Kupës. Kemi bërë kampionat model, shumë të mirë, i kemi dhënë tonin. Do përpiqemi ta bëjmë diçka të tillë deri në fund.

Dyshimet për ndeshjen e parë? Çfarë përgjigje tjetër mund të kemi, kur fituam ndeshjen dhe a ka gjë më të mirë se kjo?! Fitorja ka rëndësi për ne. Do doja një ndeshje të bukur në finale”, ka thënë Refik Halili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *