Hasa i bashkohet Egnatias, ikën Allkanjari

Kanë këmbëngulur dhe më në fund drejtuesit e Egnatias kanë arritur ta bindin e fitojnë shërbimet e qendërsulmuesit Mateo Hasa. Është një përforcim në sulm, ku në këtë repart me përjashtim të kapitenit Vangjel Mile, askush tjetër nuk luante si sulmues i deklaruar. Ardhja e Hasës duket se zgjidh njëherë e mirë problemet e repartit ofensiv, që tani më dyshen Mile–Hasa vërtetë do të jetë potencialisht në nivel më të lartë. Themi kështu, pasi veçmas manovrës kolektive dhe klasit që ka si beratasi Mile, ashtu edhe kavajasi Hasa, fat për ta është që kanë nga “vija” e dytë mbështetjen e Karajt, Gjokë, Bahollit, Vatën, që nuk “ja përtojnë” të shënojnë edhe vetë. Ndërkohë edhe Andi Selimaj e Emiljano Veliaj të afruar në skuadër gjatë këtyre ditëve të fundit i japin edhe më shumë garanci furnizimit të dyshes së re sulmuese të ekipit rrogozhinas. Karriera e shtatlartit Hasa spikat për eksperiencën pozitive edhe në Kategorinë Superiore edhe në të Parën. Ai ka luajtur në sezonin 2013-14 në Kategorinë e Parë në fazën e parë radhët e Albpetrolit dhe në fazën e dytë të po këtij sezoni te myzeqarët e Lushnjes. Ndan dy “gjysma” dhe sezonin pasardhës, në fazën e parë luan te Shkumbini dhe në fazën e dytë rikthehet te Besa, ku ka luajtur deri në finishin e sezonit të kaluar.
ALLKANJARI
Te Egnatia, periudha e merkatos verore ka qenë plot surpriza. I fundit që është larguar nga Egnatia e nuk do të jetë më pjesë e kësaj skuadre është mesfushori lushnjar, 28-vjeçari Arbër Allkanjari. Ndërkohë është thënë se do të vijnë disa lojtarë nga Zvicra, por kjo ende nuk ka ndodhur. Drejtuesit e Egnatias kanë pohuar dje për “Sport Ekspres” se edhe pas ndeshjes me Turbinën, pritet të ketë edhe ndonjë largim tjetër. Allkanjari ka qenë ndër të parët lojtarë që Egnatia afroi në merkaton e kësaj vere, madje ai shënoi edhe dy gola, një në miqësoren Lushnjen U19 dhe tjetrin në fitoren 2-1 ndaj Laçit. E radhës luhet sot ndaj Turbinës prej orës 17:00 në Rrogozhinë. Fatmir Efica

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *