Fenerbahçe refuzon dy oferta dhe Tottenham-in, as 20 milionë paund nuk bëjnë punë për Muriqin

Interesimi i Tottenham për Vedat Muriqin është bërë i ditur prej kohësh, teksa londinezët e kanë ndjekur sulmuesin që prej fillimit të sezonit duke dërguar edhe vëzhgues të tyre në stadium. Performanca në fushën e lojës dhe 11 golat e shënuar me Fenerbahçen kanë bërë që klubi anglez të hidhet në veprim.

Mungesa e Harry Kane për një kohë të gjatë në fushën e lojës ka vënë në lëvizje Tottenham-in, që duket se zgjidhjen e ka parë te futbollisti shqiptar. Një ofertë prej 20 milionë paundësh është dorëzuar në tryezën e klubit turk, si nga ana e ekipit të Mourinhos ashtu edhe nga ana e Burnley-t, por përgjigja ka qenë e njëjtë për të dyja: “Muriqi nuk shitet në janar”.

Qendrimin deri në fund të sezonit e ka thënë më parë edhe Muriqi, megjithëse e ka shprehur hapur pëlqimin për Tottenham Hotspur. Por mbetet për tu parë nëse sulmuesi do të jetë deri në fund pjesë e Fenerbahçes, që është në një gjendje të vështirë financiare dhe një shifër më e lartë ndoshta mund të ndryshojë gjithçka./Sport Ekspres/