Ekskluzive/ Ribaj flet për Flamurtarin: Nuk e pranojmë nënvlerësimin, Idrizi na ka dhënë shpresë

Flamurtari nuk gjendet në një situatë të mirë në kampionatin shqiptar ose për ta thënë më saktë, është në një nga momentet më të vështira në vitet e fundit. Vetëm 4 pikë janë grumbulluar në këto 12 javë të Superiores, megjithëse në drejtimin e Birçes një ndryshim ka nisur të duket. Fanella e Flamurtarit ka histori të madhe në futbollin shqiptar, megjithëse disa prej ekipeve kundërshtare kanë nisur të flasin për nënvlerësime.

“Sport Ekspres” ka intervistuar një prej lojtarëve kryesorë të vlonjatëve, Andi Ribaj. Kur flitet për këtë temë, futbollisti është shprehur se skuadra nuk mund ta pranojë një gjë të tillë. “Normalisht që nuk e pranojmë sepse Flamurtari është ekip i madh dhe ka traditë. Ne do t’i marrim ndeshje pas ndeshje për të arritur objektivin tonë”.

Ndërkohë në Vlorë është administratori Sinan Idrizi që po pret ligjin e sportit për t’i lehtësuar sadopak problemet ekonomike. “Jemi duke e pritur ligjin e sportit. Idrizi na ka dhënë shpresë të madhe. Janari po afron dhe presidenca me stafin do të bëjnë punën e tyre. Tani një ndryshim ka nisur të vihet re dhe ka seriozitet në punë, me një dëshirë të madhe. Nëse vazhdohet kështu, do marrim pikët që meritojmë. Renditja duket e gënjeshtërt sepse po të shohësh këto 4-5 takimet e fundit kemi pasur shumë raste. Aty është edhe ngërçi ynë dhe psikologjia e ekipit bën punën e saj. Por jemi duke punuar për të dalë nga këtu”, ka thënë Ribaj. /Sport Ekspres/