Ekskluzive/ Redi Jupi: Gafa te Strakosha edhe nga Roshi, ja përse dështoi Manaj para portës

Një ndeshje të nivelit shumë të mirë kishte Shqipëria përballë Turqisë, pavarësisht asaj humbje me rezultatin 1-0. Shumë raste të shpërdoruara nga Manaj dhe gafa e Strakoshës, shërbyen si dhurata më e mirë që mund t’i vinte Turqisë në atë mbrëmje, ku me shumë mundësi siguroi edhe Europianin.

Në dukje tërësisht të pamerituar nga kundërshtarët tanë, pasi nuk kanë treguar se janë më lartë se kuqezinjtë me atë çfarë është parë në fushën e lojës. Me Andorrën për pak sa nuk morën barazim në shtëpi, ndërsa ajo fitore e arritur ndaj Francës, siç shprehet edhe Redi Jupi, do t’i vinte Francës dhe nëse përballë do të ishte Moldavia.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një analizë të plotë me figurën e njohur të futbollit shqiptar, Redi Jupi, që ka këtë këndvështrim për çka pamë në përballjen Turqi-Shqipëri:

Humbasim me Turqinë, por rrallëherë e kishim parë këtë Shqipëri. 6-7 lojtarë nga Kombëtarja në sulm dhe të gjithë mbrapa në kundërsulme. Si e ke parë përballjen e djeshme?

“Nuk ishte Shqipëri e parë si rrallëherë. E kemi parë shpesh, përveç kësaj periudhe rreth 1 viti e gjysmë të fundit. Duke qenë se vinim nga një periudhë jo e mirë nga trajneri i mëparshëm dhe periudha e njohjes së trajnerit të tanishëm, u vu re shumë diferenca dhe na la shije pozitive. Të gjithë ishim të mërzitur pas ndeshjes me rezultatin, përfshirë edhe mua. Por nuk ishim të zhgënjyer nga performanca. Ka entuziazëm edhe për forcën e skuadrës, pasi më parë u vu në dyshim edhe cilësia e ekipit. Unë isha një nga ata që kam thënë: “Ekipi ka cilësi, por duhen shfrytëzuar potencialet”. Tani këto potenciale po shfrytëzohen. Copëzat po vendosen në vend, pasi kemi pasur edhe shumë lojtarë që më parë nuk luanin me ekipet e tyre. Që ndeshja pati probleme dhe humbëm shumë raste para portës, që Roshi nuk luan në atë pozicion, që Memushaj duhej ndërruar më para me Abrashin, që kjo mënyrë vendosje nuk i vë në pah cilësitë tona, ka rrugë përpara dhe do të rregullohen. Nëse kishim regres nga ndeshja në ndeshje, në kohët e fundit dhe dy ndeshjet e fundit kemi bërë progres, Kombëtare në rritje.

Sa i përket skemës së trajnerit Reja, ishte një Shqipëri më shumë sulmuese. Çfarë duhej përmirësuar në të?

Kjo lloj vendosje nuk është e përshtatshme për lojtarët që kemi ne. Duke parë tre lojtarë në qendër të mbrojtjes, kemi një garanci më të madhe. Kështu këta lojtarë kanë më pak shpenzim energjie në këtë skemë. Në momentin që ata gjenden në barazim numerik apo edhe në infioritet numerik shpeshherë, gjenden të freskët për të mbyllur kundërshtarët.

Por ama, nga ana tjetër sulmuesit shpenzojnë shumë energji. Ata duhet të bëjnë edhe pjesën e mbrojtjes. Nëse e keni vënë re, Manaj nuk i fal ato raste si i humbi dje. Por ka bërë një shpenzim të madh të energjisë dhe ishte i lodhur. Unë prandaj mendoj se kjo vendosje nuk është e duhura, pasi na nxjerr nga loja Roshin, një potencialet më të mëdha që kemi. Ne i kemi lojtarët për ta bërë 4-3-3 dhe për të futur Roshin. Gjithsesi mbetet zgjidhja e trajnerit.

Kur u fut Roshi në krahun e majtë, filluan disa gabime edhe nga mbrojtësit, që i humbi siguria. Madje edhe goli i Turqisë erdhi sipasojë e kësaj pasigurie në efektin domino. Pasiguria shkon te qendra e mbrojtjes, te portieri dhe ne nuk patëm asnjë moment të tillë më herët. Pikërisht kjo që Roshi nuk mund të përshtatet dot në këtë pozicion dhe mbrojtësit e tjerë nuk kanë shumë siguri më pas. Në këtë mënyrë edhe u ndëshkuam.

Veseli ishte tërësisht i transformuar ndaj Turqisë, në nivelin më të mirë. Vlerësimi juaj për këtë futbollist?

Veseli është një lojtar i fituar përfundimisht me ndeshjen e bërë dje. Unë gjithmonë e kam vlerësuar këtë futbollist pasi ka qenë kapiten te Zvicra U-17 dhe ka fituar Kupën e Botës me ta. Ne kemi luftuar për të. Me kthimin e Hysajt na bëhen 6 mbrojtës të nivelit mirë dhe mund t’i gjejmë hapësirat për 4 mbrojtës. Pasi në skemën me 3 mbrojtës do të lëmë 3 të tjerë jashtë dhe ky është mëkat nëse mund ta themi kështu. Me kthimin e Hysajt, Veseli mund të kalojë në krahun e majtë dhe Roshi të spostohet më para.

Si mund të shpjegohen gabimet e ardhura nga Rei Manaj para portës dhe ajo gafë e Strakoshës në minutat e fundit?

Humbja e rasteve e ka një llogjikë dhe është pjesë e futbollit. Nëse të gjitha aksionet do të bëhen gol, atëherë rezultati përfundon si në lojën e basketbollit. Ne duhet të shohim si i humbën këto aksione? Manaj dhe Cikalleshi kanë humbur shumë energji. Nëse e mbani mend, kanë ardhur nga mbrapa kundërshtarit në mesfushë dhe kanë rikuperuar topin. Kjo u pa edhe në rastin e dytë të Manajt pasi humbi pasimin nga Roshi, që megjithëse ishte para kundërshtarit dhe po shkonte drejt portës, nuk pati më asnjë energji dhe u mbyll lehtësisht nga kundërshtari. Nuk kishte fuqi për të vazhduar edhe pse ishte 5-6 metra para. Këta dy sulmues i bënë shumë presion në fushë lojtarëve kundërshtarë.  Gabimi i Strakoshës nuk mund të justifikohet. Unë meqë kam simpati për atë lojtar që e kam marrë vetë, mund ta justifikoj me futjen e Roshit dhe humbjen e stabilitetit në ato momente. Portieri nuk kishte se përse të dilte. Paksa e vështirë ta justifikosh edhe kështu.

Ndoshta mungoi edhe komunikimi me Ismajlin?

Diçka ka ndodhur, por nuk kishte përse të dilte. Ka gabuar portieri më i mirë që kemi. Jo se Berisha është portier i keq, por Strakosha është edhe për të ardhmen. Gabimi erdhi në një ndeshje që duhej ta kishim fituar. Ishte një ekip që nuk ishte më lartë se ne Turqia, as në Shkodër. Minimumi duhej t’i kishim ndarë pikët me këta kundërshtarë. Na kanë marrë 6 pikë dhe është gjynah.

Faktikisht, kur ramë në këtë grup, menduam se Islanda mund të dilte në vendin e dytë. Nga ana tjetër surprizohemi nga një Turqi, që në fakt nuk ka bindur kurrë, përveç asaj fitore në shtëpi me Francën në shifrat 2-0…

Unë e kam parë ndeshjen kur Franca luajti me Turqi dhe e humbi. Me atë formë që kishte Franca, mund ta mundte edhe Moldavia. Ishte humbje e Francës, jo fitore e Turqisë. Sigurisht që Turqia është vend i madh dhe ka investime marramëndëse në futboll. Vende të tilla do jenë të vështira për ne, por jo të pamundura. Islanda ka ciklet e saj, por janë një vend i vogël. Me 300 mijë banorë nuk mund të gjendesh pafundësisht breza që të kalojnë në Europian dhe Botëror. Ndërsa Turqia ka marrë shumë pak për investimet e bëra në futboll.

A duhet t’i japim besim lojtarëve të rinjtë tani me Moldavinë? Përshembull është komentuar edhe një çështje Kumbulla, që ta fusim sa për ta djegur me rrezikun e Italisë.

Kumbulla është një lojtar i yni që nga grupmoshat dhe nuk ka pasur kurrë dilemma. Ka ikur koha e ktyre mëndësive, të mbajmë lojtarët që duan të qendrojnë. Tani ne duhet të fitojmë me Moldavinë dhe Andorrën, pse jo dhe të marrim pikë ndaj Francës. Objektivi ynë është vendi i tretë. Unë nuk jam për ndryshime më të mëdha në formacion, nuk jam dakort. Ekipi kombëtar nuk ka ndeshje për dorën e dytë. Duhet të luajnë më të mirët. Nuk jam dakort me këtë. Pashë edhe Kosovën me Gjibraltarin dhe nuk më pëlqyen këto ndryshimet e mëdha që bëhen, megjithëse ishte miqësore. Nuk është rezultative. Asnjë ekip në botë nuk ka 22 lojtarë përveç Francës. Për arsye dëmtimesh, konsumi apo lodhja ka llogjikë. Të fusim lojtarë se duhet të bëjnë ndeshje me ekipin kombëtar, nuk është në llogjikën time.

Sa i përket vazhdimësisë së trajnerit Reja, jeni pro apo kundër? A duhet të ketë një objektiv tjetër, për vazhdimin? Përshembull, të lëmë pas Islandën deri në fund…

Unë kam kohë që jam i idesë se në Kombëtare duhet trajner shqiptar. Ka ikur koha e trajnerëve të huaj. Dikush nga trajnerët shqiptarë që ka bërë mirë në Superligë dhe në nivelet tona. Ne duhet të kemi edhe një shkallë të rritjes së trajnerëve. Një komb futbolldashës që nuk prodhojmë dot trajnerë në Europë. Ky është problemi, pasi në Kombëtare vjen gjithmonë trajneri i huaj. Vetëm ne na ndodh që të mos eksportojmë trajner. Ka shumë emra që mund ta marrin Shqipërinë.

Po a e përballojnë dot presionin?

Përse mos ta përballojnë? Me profesionalizëm dhe integritet përballohen. Ai trajner do e ketë problem, por është problem i ëmbël. Ai është trajner i një kombi dhe nuk ka gjë më të madhe. Normalisht që do presësh edhe presion. Jam i sigurt që me mbështetjen e duhur nga institucioni, do të bëj njësoj si këta trajnerë të huaj në cilësi, madje edhe më mirë. /Sport Ekspres/