Ekskluzive/ “Idrizi na tha se ka projekt të madh për Flamurtarin”, Hoxhaj zbulon kampionatin jashtë Shqipërisë

Nga Klaudio Ndreca

Flamurtari meriton të gjitha përgëzimet për faktin se po bënë një garë të ndershme në Superiore, megjithëse ka shumë javë që ka dalë nga elita e futbollit tonë dhe ka rënë matematikisht në Kategorinë e Parë. Teksa jepet një kompliment i tillë, tingëllon jo pak çuditshëm për faktin sesi një ekip me histori të tillë ka përfunduar deri në këtë pikë.

Gjithsesi edhe te vlonjatët duhet të shihet e ardhmja pasi nga e shkuara nuk mund të fshihet asgjë. Në këto ndeshje të fundit skuadra e drejtuar nga Troisi është shfaqur dinjitoze dhe konkurruese deri në fund, për të kthyer identitetin e vërtetë.  Njeriu gol te Flamurtari është kthyer Ardit Hoxhaj që e tundi rrjetën sërish nga distanca, këtë herë ndaj Bylisit dhe teksa festonte datëlindjen në të njëjtën kohë. Në një rrëfim për “Sport Ekspres”, futbollisti ka treguar pas ndeshjes që Sinan Idrizi ka bërë një premtim për rikthimin e madh të vlonajtëve.

Dhuratën ia bëre vetes për datëlindje me golin e realizuar, megjithëse pika i’u shpëtoi në fund. Realizimi ndaj Bylisit, ta zbukurojë sadopak ditën e veçantë?

Po ishte një gol që më dha emocion sot(dje) prandaj edhe festova. Ishte një ndjesi e momentit, të më falin tifozat e Bylisit. Ishte momentale pasi kisha edhe datëlindjen. Flamurtari ka zhvilluar një ndeshje të mirë ndaj Bylis. Dua të falenderoj fizioterapistin Daniel Hoxhaj pasi më ka qëndruar afër gjatë gjithë kësaj kohe ku ka qenë kampionat i ngjeshur. Unë jam në formë të mirë fizike dhe shoh që muskujt më përgjigjen në fushë. Golin ia dedikoj gjyshit tim.

Një tjetër gol që vjen nga distanca. Po kthehen këto goditje në të preferencën tënde?

Po janë bërë disa gola në këtë mënyrë dhe të them të drejtën, kam punuar shumë në këto kohë.

Nëse do i merrnit pikë Bylisit i rrezikonit shumë për rënien nga elita. Je ndeshur edhe me Vllazninë, kush mendon se nga këto dy ekipe do të shkojë në Play Out?

Mendoj se Bylisi ka ekip më të organizuar dhe do arrijë që t’i shpëtojë “Play-Out”.

Ndërkohë Flamurtari meriton përgëzime pêr faktin se nuk po prish garën e Superiores. Sigurisht nuk është kjo që kërkohet nga ekipi me histori, por a është edhe një shpresë për të ardhmen?

Po e vërtetë që ne po luajmë futboll ndershëm, po respektojmë veten, familjet tona, ekipin dhe garën. Më vjen keq që arbitrat nuk po na respektojnë, siç e shihni edhe vetë pas çdo ndeshje. Ne po e respektojmë garën dhe presidenti na ka thënë që mund të ketë një projekt madhor për ngritjen e Flamurtarit. Pak kemi folur dhe të shohim se çfarë mund të ndodh. Ky emër i futbollt nuk i takon Kategoria e Parë.

Ku do të jetë e ardhmja e Hoxhajt? Ka pasur ndonjê ofertë konkrete për ty gjatê kësaj kohe?

Të them të drejtën, unë kam shumë oferta në këto kohë të fundit.

Mund të jepet kampionati nga po kërkohesh?

Bëhet fjalë për elitën e futbollit në Qipro. Por do të vendosim në fundin e sezonit, ku fillimisht do të flas me presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *