Ekskluzive/ Artur Magani flet hapur: Më mirë mbyll karrierën se të vetëofrohem!

Artur Magani, lojtari i njohur në futbollin shqiptar, tashmë është pjesë e Ballkanit në Kosovë. Me trajnerin Ismet Munishi po kryesohet edhe kampionati. Të paktën deri tani, pasi rivaliteti është i madh.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Magani është shprehur se nuk ka pasur oferta serioze nga Superiorja. Pavarësisht se është përfolur shumë në këtë drejtim, del edhe një pjesë e karakterit të këtij sulmuesi: “Më mirë mbyll karrierën sesa të vetëofrohem”. Gjithashtu është prekur edhe pjesa e Kombëtares, ku theksohet se përfaqësimi real vjen në ngjyrat kuqezi.

Luan në Kosovë, por besojmë se ndihesh si në Superiore. Sa ta ka lehtësuar punën ky ambient, pasi në fund të fundit mbetesh prapë në Shqipëri apo jo?

Kosova ka disa vite që po ecën para në futboll. Këtë e tregon më së miri që edhe fakti se trajnerët më të mirë shqiptar, kanë ardhur edhe këtu për të trajnuar. Ambienti është i qetë dhe më mirë se në Shqipëri.

Ismet Munishi është trajneri më karizmatik në trevën shqiptare. Përveç rezultateve të marra dhe që e tregojnë më së miri për aftësinë e tij, është edhe pa komplekse. Sa i përket marrëdhënieve të tua me trajnerin, si janë?

Ismet Munishi e ka treguar me zgjedhjen e lojtarëve dhe me punën që për momentin është më i miri në Kosovë. Është një njeri korrekt dhe çdo futbollist e ka të lehtë që të punojë me të. Prandaj marrëdhëniet e mia me të janë shumë të mira.

Edhe në aspektin tënd personal po kthehesh protagonist. Me sa gola synon ta mbyllësh këtë sezon?

Unë mendoj se një sulmues që të jetë i mirë, duhet të shënojë 10-15 gola në sezon. Do luftoj shumë që ta kap këtë shifër. E rëndësishme është që t’i shërbej ekipi, pastaj do ia lëmë kohës.

Ke qenë edhe te të rinjtë e Shqipërisë. Kur flasim sinqerisht dhe për atë që ke menduar. Dëshira më e madhe e futbollisti është të përfaqësojë vendin e tij apo jo? I ke humbur tërësisht shpresat sa i përket Kombëtares, apo gjithçka mund të ndodh në të ardhmen?

Është ëndërr për çdo futbollist që të përfaqësoj kombin. Për mua ngelet ende ëndërr, pasi është shumë e vështirë. Shoh që lojtarë më të mirë se mua e kanë të vështirë që të zgjidhen për të luajtur në Kombëtare. Por shpresa vdes e fundit.

Ti je përshtatur në Kosovë. Në Shqipëri është përfolur shumë edhe për një bashkëpunim më të mirë mes Kombëtares dhe Përfaqësueses. Pra, një lojtar shqiptar nga Shqipëria që të luajë për Kosovën, siç ndodh edhe e anasjellta. Nëse kjo ndodh dhe të zgjedhin ty, do t’i bashkoheshe Kosovës?

Mendoj se Kosova është më mirë në gjendje se Shqipëria për momentin. Me gjithë respektin për Kosovën dhe për këtë shtet, mendoj se shqiptaria ka vetëm një Kombëtare. Është ajo kuqezi, prandaj nuk do e zgjidhja.

E ke menduar vazhdimisht kthimin në Superiore. Nëse mund të zbulosh diçka më tepër rreth tratativave me ndonjë klub këtu…

Po më shumë doja që të vija në Shqipëri pasi jam më afër familjes. Këtu ndihem më mirë në aspektet e tjera dhe të jem i sinqertë, nuk kam marrë ndonjë ofertë të mirë që të jetë serioze. Pra nuk kam pasur tratativa serioze. Për këtë arsye kam vazhduar këtu në Kosovë. Kjo është në karakterin tim: “Më mirë e mbyll me futbollin sesa t’i vetofrohem ndonjë ekip në Shqipëri apo Kosovë”.

Këtë vit është një “tymnajë” e madhe për të parashikuar fituesin e kampionatit edhe te ju. Një pyetje që vlen 1 milionë dollarë. Kush e fiton në fund?

Kampionati është shumë i fortë. Për momentin ne jemi në vendin e 1. Do të jetë e vështirë që ta mbajmë, por të përqendrohemi për ndeshjet e radhës. Drita me Feronikelin kanë ekipe shumë të mira dhe janë pretendentët kryesore për titull. /Sport Ekspres/