Egnatia “bum”, një seri goditjesh dhe tashmë synohet Superiorja

Egnatia ka nisur punë për sezonin e ri që prej 16 korrikut dhe synon të përsëritë ose përmirësojë sezonin e shkuar, ku mahniti, sepse nga një debutuese e pavlerësuar në Kategorinë e Parë, u kthye në një ekip pretendent, falë organizimit të shkëlqyer të klubit, që arriti të evidentojë edhe disa talente.

Tani Egnatia kërkon përforcime dhe disa i ka gjetur, sepse sot shefi i klubit, Petrit Hazbiu, ka  prezantuar zyrtarisht lojtarët e afruar ditët e fundit, të cilët kanë firmosur me klubin nga Rrogozhina.

Portieri 27-vjeçar Selami Ajazi ka lënë për herë të parë në karrierë Shkumbinin, ku ishte titullar në 5 sezonet e fundit, ndërsa tani do të mbrojë portën e Egnatias, ku sezonin  e shkuar ishin titullar Haremi dhe rezervë Birja.

Mbrojtësi Klajdi Broshka dhe mesfushori Amarildo Dimo kanë lënë Apoloninë për Rrogozhinën dhe bëhet fjalë për dy goditje të mëdha për Kategorinë e Parë. Broshka ka qenë pikë kyçe tek Apolonia pë 5 sezonet e fundit dhe është vetëm 24 vjeç, ndërsa mesfushori veteran Dimo luante prej 3 sezonesh e gjysmë në Fier, në shtëpinë e tij, por në moshën 35-vjeçare kërkon një sfidë të re, te një skuadër që ka më shumë besim tek ai.

Nga Shkumbini në Rrogozhinë kalon edhe Fadil Meta, mbrojtës 23-vjeçar i cili ashtu si Ajazi për herë të parë lë Peqinin, ku në 4 sezonet e fundit ka qenë titullar fiks.

Dy goditje të forta Egnatia i bën në Lushnje, sepse ka marrë mbrojtësin 27-vjeçar Ledion Ruço, lojtar kyç në 4 sezonet e fundit, si dhe sulmuesin Mikel Canka. 31-vjeçari shënoi 7 gola në sezonin e fundit në Superiore dhe është një luks për Kategorinë e Parë.

Nga eksperiencat jashtë vendit kthehen Gentjan Shkoza dhe Mustafa Agastra. 34-vjeçari Shkoza kishte 4 vjet larg Shqipëri9së dhe sjell eksperiencë te Egnatia, ashtu si sulmuesi tjetër Agastra, i cili në Shqipëri ka luajtur për shumë klube, derisa në vitin 2017 u largua për në Suedi, ku vazhdoi të luante futboll në kategoritë e ulëta.

Në fund, edhe një emër i panjohur për Kategorinë e Parë, sepse Egnatia ka marrë nga Gramshi mbrojtësin Rei Zaimi. Vetëm 19 vjeç, Zaimi është pjesë e Gramshit prej vitesh dhe tashmë kërkon të tregojë sa vlen në Kategorinë e Parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *