“E përse të luajmë”, Lukaku nuk gjen vend për futboll në Itali: Si të jetosh në flluskë, dëgjoj vetëm sirena ambulance

Italia vazhdon të vuajë prej pandemisë Covid-19, ndërsa numri i të infektuarëve dhe viktimave nuk jep shenja përmirësimi të situatës. Futbollistët ashtu si gjithë qytetarët e tjerë janë të izoluar prej ditësh, duke shpresuar që kjo sakrificë e bërë prej tyre të japë frytet e veta sa më shpejt e që motorri i jetës sociale të vihet sërish në punë. Lukaku tregon për mediat italiane së të jetosh në vendin më të prekur të Europës ngjan si të jetosh në  flluskë. Sipas sulmuesit të Interit e vetmja gjë që dëgjohet në këtë kohë është sirena e ambulancës, ndërsa shprehet se nuk ka motiv për tu rikthyer sërish në stërvitje në një situatë të tillë.

“Nuk do të thoja se kam frikë. Por është si të jetosh në një flluskë, ti përpiqesh të kuptosh se çfarë po ndodh dhe në të njëjtën kohë e di që je në vendin më të prekur në Evropë. Në disa qytete dëgjon vetëm sirenat e ambulancës që shkojnë përpara dhe mbrapa. Unë e dija që ishte vetëm çështje kohe përpara se disa lojtar të kontraktonin sëmundjen. Fatkeqësisht ndodhi, tani lista po zgjat më shumë.

Është e vështirë sepse sporti që ju pëlqen mungon, por shëndeti i përgjithshëm është shumë më i rëndësishëm sesa futbolli tani. Stërvitja? Para se të filloj përsëri, shëndeti publik duhet të jetë i sigurt. Nëse duhet të luajmë në një situatë ku shëndeti i përgjithshëm nuk është i sigurt, përse duhet të luajmë? Ende ekziston rreziku që lojtarët të sëmuren”, ka thënë Romelu Lukaku./Sport Ekspres/