Drejtuesit arrijnë marrëveshjen me lojtarin, “demat” e mbyllin me mbrojtësin

Partizani ka arritur të kryejë një lëvizje “brenda” grupit. Drejtuesit e klubit kanë mbyllur me sukses rinovimin me mbrojtësin e krahut të majtë, Renaldo Kalari. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije për “Sport Ekspres” se lojtari ka rinovuar dhe për sezonin e ri.

Kalari është i vetmi i “mbijetuar” nga futbollistët që u mbaronte kontrata me të kuqtë, pasi Batha, Fejzullahi dhe Kotobelli janë larguar. 34-vjeçari është mbrojtësi i vetëm në krahun e majtë, pas largimit të Kotobellit. Ai nuk ka ndonjë rival të fortë, pasi Hysenaj nuk është ende gati dhe Trashi nevojitet në sulm. Drejtuesit e klubit mund t’i afrojnë ndonjë rival.

Kryeqytetasi i ofruan rinovimin Kalarit dhe me miratimin e trajnerit Skënder Gega, ky i fundit e kishte nën urdhra në fazën përgatitore të zhvilluar në Ohër. Ai u bind nga forma e lojtarit. Kalari do të luajë sezonin e 4-t me “demat”, pasi ka kaluar 3 vite te të kuqtë. Partizani ka mbyllur dhe një vend tjetër që kishte “bosh”, pasi mbrojtësi ishte pa kontratë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *