Drama me gol në minutën e 95-të, Dermaku i paprekshëm dhe VAR-i si me Juventusin

Kastriot Dërmaku regjistron një tjetër ndeshje si titullar në Serie A, teksa këtë herë e ka nisur nga minuta e parë transfertën dramatike të Parmës kundër Bolonjës, ku këta të fundit barazuan shifrat në 2-2 në minutën e 95-të me anë të shqiptarit Xhemaili. Një ndeshje kjo që nuk i ka shpëtuar polemikave, pasi një rast i ngjashëm me atë të Cuadrados kundër Atalantas ka ndodhur gjatë saj. Më konkretisht lojtari i Parmës, Darmian ka prekur topin me dorë, po gjyqtari e ka lënë lojën të luhej dhe nga ky aksion vjen edhe goli i dytë për ekipin e tij. Arbitri ka thënë se ishtë duke komunikuar me VAR-in ndërkohë që aksioni vazhdonte, por gjithsesi loja nuk u ndal deri sa topi shkoi në rrjetë.

Ndërkohë paraqitjet e shqiptarit duket se e kanë bindur trajnerin e skuadrës italiane që t’i besojë sërish një vend në formacion futbollistit të Kombëtares shqiptare. Megjithëse debutimi në Serie A do të vinte fillimisht falë dëmtimit të kapitenit vetëran Bruno Alves,  me nivelin e treguar nga java në javë në fushën e lojës duket se tashmë emri i tij ka zënë peshë në mbrojtjen e Parmës. Madje u përfol se edhe në ndeshjen e sotme do të ishte përsëri ai që do të bënte shpëtimtarin në rast emergjence, duke u projektuar nga trajneri D’Aversa si një sulmues qendre për shkak të mungesave në repartin sulmues. Edhe pse fiziku i tij mund ta favorizonte në duelet ajrore me mbrojtësat kundërshtarë, tekniku italian ka vendosur të mos eksperimentojë, duke e pozicionuar Dërmakun pikërisht në rolin e tij natyral të mbrojtësit qendror, të cilin lojtari kuqezi di ta bëjë më së miri./Sport Ekspres/