Deklaratë për shtyp për Jashanicën, Skënderbeu godet median: Punon kundër nesh

Skënderbeu ka dalë me një deklaratë për shtyp në lidhe me zërat dhe shkrimet e fundit për Bajram Jashanicën. Teksa sqaron në detaje gjithçka ndodhi me këtë rast, korçarët nuk ngurrojnë të akuzojnë për shpifje median në fjalë, që sipas tyre, nuk e verifikojnë të vërtetën dhe punojnë pareshtuar kundër interesave të klubit. /Sport Ekspres/

 

DEKLARATË PËR SHTYP

Klubi i Futbollit Skënderbeu bën me dijeni opinionin publik dhe mediat vendase se artikulli i publikuar ditën e sotme, datë 07.11.2019, në Gazetën “Panorama Sport”, në lidhje me dënimin disiplinor të Lojtarit tonë, Bajram Jashanica, është tërësisht spekulativ, i gënjeshtërt, shpifës dhe përtej çdo standardi lidhur me profesionin e gazetarisë.

Siç dihet, Z. Jashanica është dënuar disiplinarisht nga Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s më datë 22.02.2018. Gjatë të gjithë procesit dhe deri në ditën e sotme, klubi ynë ka asistuar lojtarin në fjalë në të gjitha procedurat disiplinore, qofshin këto ankimi pranë Komisionit të Apelit të UEFA-s apo në CAS. Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së mirë për të minimizuar kohëzgjatjen e pezullimit për Z. Jashanica, nuk kemi mundur të arrijmë një rezultat të ndryshëm nga ai egzistues.

Sa i përket pezullimit të sanksionit, situata është tërësisht ndryshe nga sa është raportuar nga “Panorama Sport”. Së pari, një kërkesë për pezullim të sanksionit disiplinor bëhet për kushte tërësisht specifike, është pa pagesë dhe mbi të gjitha, vetëm pasi një sportist ka vuajtur të paktën 3/4 e dënimit dhe jo 2/3 siç është pretenduar. Së dyti dhe më e rëndësishmja, më datë 09.10.2019, Z. Jashanica ka depozituar kërkesë pranë UEFA-s dhe WADA-s për pezullimin e periudhës së mbetur të dënimit, kërkesë e përgatitur nga ana e klubit. Fatkeqësisht, më datë 11.10.2019, WADA dhe UEFA kanë refuzuar kërkesën e paraqitur, me argumentin ligjor se Z. Jashanica nuk ka të drejtë të kërkojë këtë lëshim, në përputhje me Kodin e Anti-Dopingut të WADA-s dhe Rregulloren e Anti-Dopingut të UEFA-s.

Për Klubin e Futbollit Skënderbeu shpifjet e kryera nga “Panorama Sport” nuk janë as risi dhe as të rastësishme. Është e qartë për ne që këto kanale mediatike kanë punuar dhe punojnë pareshtur në dëm të interesave tona, pavarësisht fakteve dhe të vërtetës. Ftojmë këta pseudo-gazetarë të ushtrojnë profesionin e tyre duke verifikuar e raportuar të vërtetën dhe jo duke e krijuar atë.

Me Respekt,
KF Skënderbeu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *