“Çfarë turpi i madh, ku kemi përfunduar”/ Në Spanjë përtypin fjalët për Armando Sadikun

Kur Armando Sadiku u zyrtarizua në orët e fundit të merkatos së verës te Malaga, nuk e priste aspak një ambient i mirë. Tifozët e irrituar e shihnin si një turp të madh këtë transferim, ndërsa prisnin lajme për një zgjidhje të problemit me Shinji Okazakin.

Ky i fundit kishte bërë bujë të madhe me Leiçesterin, por nga skuadra spanjolle u largua për shkak të pretendimeve që kishte për një rrogë më të lartë. Në kushte të tilla, Malaga mendoi të transferonte Sadikun. “Çfarë turpi i madh, ku kemi përfunduar”, këto ishin shumë nga komentet që gjendeshin në faqen zyrtare të spanjollëve teksa njoftonin zyrtarizimin e Sadikut.

Tifozët dhe mediat që e shihnin me dyshime këtë lëvizje, kanë përtypur fjalët me dy ndeshjet e para. Në takimin debutues ndaj Almerian, pavarësisht se humbën me rezultatin minimal 0-1, sulmuesi elbasan u shpall më i miri i takimit.

Ishte i kudondodhur dhe bëri gjithçka për t’i treguar trajneri sesa vlente. Besimi erdhi edhe në takimin ndaj Mirandes, atje ku erdhi goli i parë me kokë, por njëkohësisht Sadiku ishte edhe shumë pranë të dytit. Kjo situatë ka ndezur shpresën te Malaga sa i përket vijës së parë të sulmit, ndërsa mediat spanjolle kanë shkruar shumë artikuj në lidhje me Sadikun në orët e fundit. Sipas tyre skuadra spanjolle e ka gjetur një “9” të vërtetë për t’i hapur probleme kundërshtarëve dhe gola të tjerë do të vijnë në vijim. /Sport Ekspres/