Dy ditë më parë, në Bashkinë e Beratit, janë zhvilluar bisedime për privatizimin e FK Tomori mes drejtuesve të bashkisë e presidentit të kompanisë “Mela Holding Group” e drejtuar nga shqiptari me origjinë nga lugina e Preshevës, Marko Saljihu. Gjithashtu mbështetja është e madhe edhe nga firma shqiptare TPN Development, me president beratasin Thoma Jançe.
Për gjithçka që është arritur në bisedimet mes tyre, SportEkspres.com e ka pasqyruar hollësisht situatën, ndërsa vetë bashkia ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku tregon punën e bërë gjatë viteteve që ajo e menaxhon FK Tomorin, por edhe interesin për privatizimin e tij.
DEKLARATA – “Përgjatë ditëve të fundit, “Futboll Klub Tomori” ka ndjekur me interes dhe kujdes të gjitha informacionet e pasqyruara në mediat e shkruara, online apo edhe studiot televizive, në lidhje me interesimin e kompanisë “Mela Holding Grup” për të blerë 76% të aksioneve të klubit tonë.
Saktësojmë se Bashkia Berat ka qënë gjithmonë e gatshme për t’u ulur në tavolinë me investitorë seriozë dhe me plane konkrete, ashtu si ka bërë dy ditë më parë me përfaqësuesit e kompanisë në fjalë. Dëshira, interesi dhe puna e këtij institucioni do të jetë maksimal për të nisur procedurat e shitjes të aksioneve. Njoftojmë se brënda muajit shkurt (25 shkurt mbahet mbledhja) kjo çështje do të kalojë në Këshillin Bashkiak për të miratuar dhënien deri në 76% të aksioneve.
Institucioni jonë do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar procedurat, duke i hapur rrugën privatizimit të klubit. Kujtojmë që, për të gjithë ata të interesuar edhe më parë si: “Salillari Ltd” apo dhe të tjerë, se kjo procedurë do të nisë shumë shpejt dhe do të jetë një garë e hapur.
Theksojmë se Bashkia Berat gjatë këtyre katër viteve të fundit ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi një plan të qartë në dy aspekte: larja e borxheve të akumuluara nga klubi në vitet 2010-2015, si dhe në atë sportive duke marrë parasysh se skuadra gjendej në një nga pikat më të ulta të historisë si pjesëmarrëse në Kategorisë së Dytë.
Pikërisht përgjatë kësaj periudhe, falë investimeve që i janë dedikuar buxhetit të sportit, dhe në veçanti atij të FK Tomorit, është shlyer në total një shifër marramëndëse prej 253.5 milion lekë (të vjetër)”, kështu citohej midis të tjerave në deklaratën e Bashkisë Berat, sa i përket situatës për privatizimin e Tomorit.
AGRON KAJA