Ishte zgjedhja më logjike e mundshme dhe tashmë është zyrtare: Vllaznia-Skënderbeu do të luhet të dielën në Korçë.
Vllaznisë i është mbyllur Loro Boriçi për problemet e mbjelljes së barit në fushë, por ndërkohë edhe ministadiumi “Reshit Rusi”, ose më saktë fusha sportive, nuk është licencuar nga sektori i licencimit në FSHF. Një vendim i çuditshëm, bazuar te fakti që muri rrethues dhe reklamat janë shumë pranë pozicioneve të korneve, apo te mungesa e dhomës mjekësore dhe sallës së konferencave, si dhe kushtet aspak të mira për gazetarët, por këto probleme kanë ekzistuar gjithnjë dhe ka pasur shumë ndeshje të Superiores zhvilluar në “Reshit Rusi”.
Tani FSHF e ka vendosur: do të luhet në Korçë, duke transferuar ndeshjen e fazës së dytë nga Korça në Shkodër. Një zgjedhje që do të krijojë ndonjë polemikë, por nga ana tjetër është e favorshme edhe për Vllazninë, për të mos luajtur në fushë asnjanëse.