Tashmë është zyrtare, Felipe Anderson transferohet nga Lacio te Uest Hemi për 41 milionë euro, plus bonuse prej 6 milionë eurosh në varësi të rendimentit. Bëhet fjalë për një shifër rekord për klubin anglez, që nuk ka shpenzuar kurrë shifra të tilla.
Fantazisti brazilian u transferua te Lacio në vitin 2013 nga Santosi, për vetëm 8 milionë euro, në një kohë që kishte fituar Kupën Libertadores.
Qe atëherë pak nga pak Felipe Anderson u bë një nga yjet e Lacios dhe largohet duke lënë një trashëgimi të veçantë, sepse luajti 177 ndeshje, shënoi 34 gola e dha 42 asiste apo penallti të fituara, me 382 driblime të suksesshme.
Sot 26-vjeçari ka firmosur kontratë 5-vjeçare, me 3.5 milionë euro në sezon, si dhe është prezantuar. “Uest Hemi është një klub me traditë. Shumë lojtarë të mëdhenj kanë luajtur aty, Bobi Mur, Tevez e Di Kanio janë disa prej tyre. Ku i dihet, ndoshta do të bëhem edhe unë një legjendë si ata”, tha Felipe Anderson gjatë prezantimit.
Uest Hemi këtë verë ka qenë shumë aktiv në merkato, sepse ka blerë edhe Isa Diop, Jarmolenko, Fabianski, Balbuena, Frederiks e Uilsher. Në total, deri tani Uest Hemi ka shpenzuar rreth 97 milionë sterlina.