Befasi e madhe nga Reali i Madridit, sepse klubi kampion Europe ka emëruar trajnerin e ri, i cili është Hulen Lopetegui. Trajneri i Kombëtares spanjolle do të marrë drejtimin e Los Blancos në përfundim të Kupës së Botës.
Lajmin e ka publikuar vetë Reali, me një njoftim zyrtar në faqen e vet online. Deri tani ishin përfolur emra pa fund, por Reali nuk po gjente dot trajner për shumë arsye, si nga kontratat me ekipet përkatës, si në rastin e Poçetinos, ashtu edhe nga refuzimet, si Alegri.
Tani detyrën e merr Lopetegui, trajner që nuk ka pasur ndonjë klub të madh, me përjashtim të një aventurë të shkurtër me Porton, por me Spanjën ka punuar shumë mirë nga U-19 deri tek ekipi i parë dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me lojtarët e Realit në kombëtare.
Lopetegui ka firmosur kontratë 3-vjeçare dhe kthehet në Madrid, aty ku ka luajtur në periudhën 1988-1991 dhe ma drejtuar ekipin B në sezonin 2008-2009, para se të merrte drejtimin e Spanjës U-19.
Në Kupën e Botës Lopetegui shkon me bilanc fantastik: 14 fitore e 6 barazime në 20 ndeshje. Pak kohë më parë kishte rinovuar deri në Euro 2020, por thirrja e Realit nuk mund të refuzohej.