Sindrit Guri ka bërë prapakthehu në karrierën e tij. Sulmuesi shqiptar provoi një aventurë në Belgjikë në radhët e Ostendes, por që nuk rezultoi asgjë. Klube shqiptare me në krye Vllazninë ishin në garë për shërbimet e 27-vjeçarit, por ky i fundit ka zgjedhur të luajë në Maqedoninë e Veriut. Lojtari i Kombëtares shqiptare do të luajë me skuadrën nga Tetova sezonin e ardhshëm, ndërsa në kontratë qendron edhe ospioni i rinovimit me një tjetër vit. Vetë Guri është shprehur i lumtur për këtë kalim në radhët e Shkëmdijës.
“Kur e mësova se mund të vij në Shkëndijë, menjëherë më lindi dëshira që sa më shpejt të vij në Tetovë dhe të nënshkruaj. Jam tepër i lumtur që pas tre viteve përsëri kthehem në një ekip shqiptar, por edhe më i lumtur që i bashkëngjitem një skuadre siç është Shkëndija, me gjithë armatën e tyre të tifozëve kuqezi. Mendoj se ky është një moment shumë i duhur në karrierën time që të vij në një klub i cili luan futboll me sulme.
Ndjehem shumë mirë që jam këtu, pasi që e di se Shkëndija është kampion aktual i Maqedonisë së Veriut dhe ka ambicie që përsëri edhe këtë vit të shpallet kampion. Ambiciet e mia përshtaten me ambiciet e klubit. Por ajo që më shumë më përshtatet mua si golashënues është stili i lojës i Shkëndijës, që është lojë ofensive me shumë sulme. Besoj se me ndihmën e bashkëlojtarëve do të arrijmë suksese dhe do të dalim kampionë”, ka thënë Sindrit Guri faqen zyrtare të klubit të Shkëndijës./Halit Delibaashi-Sport Ekspres/