Vora po investon së tepërmi në klub vitet e fundit dhe tashmë synon ngjitjen në “Abissnet Superiore”. Transferimet e kryera së fundmi flasin qartë për seriozitetin e klubit. Vor aka treguar dhëmbët në merkato duke afruar në organikë lojtarë me cilësi dhe përvojë. Mbrëmjen e sotme, skuadra e Kategorisë së Parë ka zyrtarizuar tre transferime përmes faqes zyrtare në “Facebook”.
Bëhet fjalë për Erhun Obanorin, John Isaiah Davidin dhe Serxhio Tafën. Ky i fundit është lojtar i dalë nga akademia e Tiranës, ndërsa John Isaiah Davidi është një mbrojtës 18-vjeçar që është formuar në akademinë e Watford-it. Sa i përket Obanorit, lojtari është një emër i njohur për futbollin shqiptar, teksa ka mbajtur veshur fanellën e Kukësit dhe Laçit, ndërsa jashtë Shqipërisë ka luajtur për Greuther Furth-in dhe Istrën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/