Zyrtare/ Gjermania heq Joakim Lëvin nga tregu, vjen rinovimi deri në 2022

Joakim Lëv ka arritur marrëveshjen me Federatën Gjermane për të zgjatur edhe dy vjet kontratën e tij, që do të thotë se do ta drejtojë Kombëtaren gjermane deri në vitin 2022.

Kontrata e trajnerit kampion bote skadonte pas Euro 2020, por drejtuesit e Federatës kanë shumë besim tek ai dhe kanë rinovuar deri në Botërorin që do të zhvillohet në Katar.

58-vjeçari e mori drejtimin e Gjermanisë në vitin 2006 dhe triumfi në Kupën e Botës 2014, ku në rrugën e vet turpëroi edhe Brazilin vendas 7-1.

Edhe në Botërorin rus Gjermania niset si një ndër favoritet e mëdha, pas suksesit në Kupën e Konfederatave vitin e shkuar, ku luajti me një skuadër të mbushur me të rinj.

Së bashku me Lëvin kanë rinovuar edhe ndihmësi i tij Tomas Shnajder dhe trajneri i portierëve Andreas Këpke, ka konfirmuar Federata Gjermane, që në këtë mënyrë heq Lëvin nga tregu, sepse kohët e fundit ishte folur për interesim të Bajernit dhe Realit të Madridit.

LËV – “Kam një skuadër të shkëlqyer, me lojtarët më të mirë në Gjermani, si dhe kam një staf të mrekullushëm, ndaj kjo më jep gëzim dhe shtysë për të vazhduar. Këto ditë pres me entuziazëm Kupën e Botës në Rusi, do të jenë ditë intensive dhe plot punë e emocione”, tha ndër të tjera Joakim Lëv pas zyrtarizimit të marrëveshjes. Ndërkaq, drejtori i Federatës gjermane, Oliver Birhof, ka rinovuar deri në vitin 2024. “Jam i lumtur që do të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe do të bëjmë gjithçka për të qëndruar në majën e botës. Për mua është e rëndësishme që të vazhdojë procesi që ka nisur me akademitë dhe skuadrat kombëtare në mënyrë të pandërprerë dhe afatgjatë. Është një sfidë e madhe, që e pranoj me kënaqësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *