Armando Sadiku bëhet me skuadër të re. Vjen njoftimi zyrtar, teksa është klubi zviceran i Luganos që ka njoftuar transferimin e sulmuesit të kombëtares. Klubi zviceran njofton se sulmuesi ka kaluar me sukses një ditë më parë testet mjekësore dhe është rrugës për t’iu bashkuar Luganos në Mursia, aty ku ata po bëjnë edhe fazën përgatitore. Në mbrëmje ai do bashkohet me ekipin.
ÇELËSI I MARRËVESHJES – Levante nuk e huazonte dot sulmuesin dhe e ka gjetur zgjidhjen, duke e shitur te Lugano. Sekreti është një klauzolë në kontratën e bërë mes klubeve. Spanjollët kanë të drejtë ta blejnë në verë. Sigurisht që shuma do jetë simbolike, pasi kartoni i sulmuesit është i Levantes, që ka shpenzuar plot 1 milion euro.
Te Lugano Sadiku ka luajtur edhe në dy periudha të tjera. Për herë të parë iu bashkua në vitin 2012 dhe në Challenge League ai arriti të realizonte plot 18 gola, çka bëri që Zyrihu ta blinte më pas. Lugano është kthyer në një klub rehabilitimi për sulmuesin.
Pas një dëmtimi të Zyrihu, ai rimori veten aty në pjesën e dytë të sezonit 2016-2017. Plot nëntë gola të realizuar dhe më pas erdhi shitja te Legia e Varshavës në Poloni. Sulmuesi i kombëtares ka mundësinë të luajë dhe të rikthehet në nivele të larta.