Një ndër zbulimet e Superiores sezonin e fundit, sulmuesi Seku Kamara, është larguar nga Flamurtari dhe tashmë firmos për Teutën.
20-vjeçari nga Guinea erdhi në Shqipëri në vitin 2015, për llogari të Luzit, që më pas e transferoi te Besëlidhja.
Një sezon i shkëlqyer te Besëlidhja në Kategorinë e Parë, si dhe disa ndeshje fantastike në kupë, bënë që Kamara të binte në sy te klubet e Superiores dhe Flamurtari e bëri të vetin në huazim verën e shkuar, së bashku me mesfushorin qendror Lansinet Sidibe.
33 ndeshje në total në Vlorë, 4 gola e disa asiste, 1429 minuta dhe një rendiment shumë i mirë, aq më shumë që bëhet fjalë për një sulmues krahu dhe në moshë shumë të re.
Megjithatë, çuditërisht Flamurtari nuk e ushtroi të drejtën e blerjes, edhe pse nuk duheshin shifra kolosale.
Kështu, sot Seku Kamara është zyrtarizuar krejt papritur te Teuta. Sulmuesi, i cili më 20 korrik do të mbushë 21 vjeç, përforcon dukshëm sulmin e Teutës për sezonin e ri dhe do të jetë një nga pikat kyçe të skuadrës së Bledi Shkëmbit, që po bëhet shumë interesante.