Zyrtare/ Atje ku nuk e priste askush, Armando Sadiku gjen ekipin e ri pas largimit nga Levante

Armando Sadiku arriti që të rigjente formën më të mirë pas huazimit te Malaga, duke qenë heroi i kësaj skuadre që i shpëtoi turpërimit, pasi me golat e sulmuesit shqiptar nuk ra nga “Segunda Division”. Menjëherë pas përfundimit të marrëveshjes lojtari i Kombëtares do të rikthehet te Levante që zotëronte kartonin e tij, por e kishte të qartë se do të gjente një tjetër skuadër në merkaton e verës.

Madje kjo ndodhi në mënyrë të papritur teksa Levante nuk përfitoi asgjë nga largimi i Sadikut. Klubi spanjoll rrezikonte një dënim nga ana e Fair Play-t Financiar për numrin e shumtë të lojtarëve dhe duhej të sakrifikonte një prej tyre, që kishte rrogë të majme. Sadiku u zgjodh menjëherë dhe futbollisti ishte i lirë në këtë mënyrë që të firmoste me ekipin e ri, pa derdhur asnjë shumë te Levante.

Askush nuk e priste dhe klubi i Sadikut për sezonin në vijim do të jetë Erzurumspor. Këta të fundit janë të sapo ngjitur në elitën e futbollit turk ndërsa me një postim në rrjetet sociale tregojnë se kanë arritur dakortësinë me lojtarin i cili do t’i bashkohet për të kryer testet menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të Shqipërisë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *