Sokol Cikalleshi e ka mbyllur me Gëztepen. Tashmë është zyrtare, pasi klubi turk ka dalë me njoftim për të ardhmen e sulmuesit kavajas. Kontrata e huazimit me Osmanlispor është ndërprerë dhe tashmë shtatlarti do të rikthehet te ish-skuadra e tij.
“Si rezultat i negociatave të dyanshme me Sokol Cikalleshin, i cili ju bashkua ekipit tonë të fillim të sezonit, kontrata e huazimit është ndërprerë. Ne e falënderojmë Cikalleshin për përpjekjet e tij me ekipin tonë dhe i urojmë suksese në karrierën e tij futbollistike në vijim”, njofton Gëztepe.
Cikalleshi kështu do të rikthehet tek Osmanlispor, opsioni i vetëm për të. Sulmuesi është aktivizuar brenda sezonit me dy skuadra dhe nuk mund të luajë me një tjetër klub. Kështu ai do të luajë deri në fund të sezonit në ligën e parë turke.
Osmalispor renditet në vendin e gjashtë në kampionat dhe synon rikthimin në Superligë. Shanset janë konkrete dhe Cikalleshi do t’u japë një dorë deri në fund të sezonit. Te Gëztepe ai nuk shënoi asnjë gol në kampionat, ndërkohë që tani po bëhet gati për aventurën e tij të re.