Agim Ademi është zgjedhur presidenti i ri i Federatës Kosovare të Futbollit. Votim plebishitar ai në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, me drejtuesin e ri që mori votëbesimin e 58 nga 58 delegatët me të drejtë vote. Një votim ku praktikisht nuk kishte garë, edhe sepse Ademi ishte kandidat i vetëm dhe përpara punimeve të Asamblesë kishte siguruar mbështetjen e të gjithë anëtarëve të futbollit kosovar. Pasi ka mbajtur postin e zv.presidentit të FFK-së, ai bëhet pasardhës i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur më 9 qershorin e kaluar.
“Nuk besoj se primar është individi, por futbolli. Është mirë të vazhdojmë rrugën e nisur, do ta shihni punën”, tha Ademi menjëherë pas zgjedhjes në krye të futbollit kosovar, duke shtuar: “Besoj se të gjithë e kanë dhënë votën për punën, jo për personin. Ka qenë kërkesë edhe e UEFA-s dhe FIFA-s që të vazhdohet me ne. Nuk më bën përshtypje mandati, por obligimi. 24 orë do jem i hapur për futbollin”.
Ademi e cilësoi të pazëvendësueshëm paraardhësin e tij, Fadil Vokrrin, por premtoi se do të bëjë maksimumin për mirëfunksionimin e FFK-së dhe për të vazhduar rritjen e futbollit në Kosovë. “Do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë, por nuk mund të zëvendësohet Fadil Vokrri. Gjithsesi do të mundohemi me kapacitet që kemi. Janë disa projekte te mbetura përgjysmë, të cilat do të kryhen. Jam në shtëpinë time, jam anëtari më i vjetër në Federatën e Futbollit dhe absolutisht se e di atë që duhet në këtë institucion, por kërkoj ndihmën dhe përkrahjen e të gjithëve”.
Problemet ligjore
Më 20 korrik, Agim Ademi do të paraqitet në gjykatë, pas çështjes së vitit 2014 të hapur nga Prokuroria e EULEXI-it dhe Prokuroria e Prishtinës, ku ai është i pandehur për zhvatje, korrupsion dhe kërcënim. Për këto akuza, presidenti i ri i Federatës Kosovare të Futbollit ishte mbajtur edhe 30 ditë në paraburgim. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur ndërmjet 12 korrikut dhe 12 shtatorit të vitit 2012, ku Agim Ademi dhe Muharrem Rama kanë kërcënuar dhe sulmuar një shtetas (DK) me qëllim përfitimi material, në shifrën e 30 mijë eurove, ose një automjet i tipit BMË X5, si edhe ushtrimin e ndikimit në vendimmarrje të një funksionari zyrtar, për ndryshimin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”. Akuzat ndaj kreut të ri të FFK-së janë të dënueshme për një maksimum me 10 vjet heqje lirie.