Lozana nuk mundi që të mbijetonte në elitën e futbollit zviceran, duke rënë në ligën e dytë edicionin e shkuar. Dje, skuadra e Lozanës nisi edicionin e ri futbollistik, por binte në sy mungesa e mesfushorit të përfaqësueses së Kosovës Benjamin Kololli, i cili nuk ishte as në stol.
Sot, është bërë e ditur dhe arsyeja, pasi mesfushori ka ndryshuar skuadër dhe është transferuar tek FC Zyrihu. Normalisht që nuk mund të luante në ligën e dytë një lojtar si Kololli, i cili ka spikatur shumë në edicionet e fundit. Po ashtu lojtari në fjalë ka veshur dhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës në tre ndeshje, në kualifikueset e fundit. 26-vjeçari është prezantuar zyrtarisht nga skuadra e Zyrihut dhe bëhet me dije se ai ka nënshkruar një kontratë për 3 vite, duke qenë kështu pjesë e kësaj skuadre deri në verën e viti 2021.
Në dy edicionet e fundit Kololli ka shkëlqyer, duke shënuar 18 gola, ndërsa vjet ka dhënë dhe 6 asiste. Një paraqitje mjaft e mirë, çka e ka bindur klubin e elitës zvicerane që të investojë tek ai. Mësohet se ky transferim i ka sjellë plot 800 mijë euro skuadrës së Lozanës, e cila nuk mund ta refuzonte një ofertë të tillë.
Presidenti i Zyrihut, Ancillo Canepa, është shprehur mjaft i lumtur që ka arritur të kryejë këtë transferim, i cili ka qenë një nga dëshirat e tij më të mëdha. Po ashtu, numri 1 i klubit vlerëson mesfushorin, duke theksuar se është një futbollist që mund ta ndihmojë skuadrën në shumë pozicione.
“Benjamin Kololli, ka qenë një nga dëshirat e mia për ta transferuar këtu. Lojtarët si ai janë të rrallë dhe në futbollin profesionist nuk ka shumë të tillë. Ai mund të luajë në disa role si në repartet e avancuara ashtu dhe në mbrojtje. Kololli është një shënues i rregullt, si dhe ka shërbyer shumë asiste në edicionet e fundit”, përfundoi deklarata e presidentit për faqen e klubit. Në aventurën e tij të radhës Kololli do të mbajë numrin 70 në bluzën e tij.
Shqiptarët që aktivizohen në radhët e Zyrihut
Mirlind Kryeziu
Hekuran Kryeziu
Izer Aliu
Lavdrim Rexhepi
Toni Domgjoni
Benjamin Kololli