Zvicra në festë, Irlanda e Veriut eliminohet nga një penallti e mallkuar

Zvicra shkon në Kupën e Botës! Pas fitores 1-0 një Belfast, me një penallti të dhuruar nga arbitri, Zvicra barazoi sot në Bazel ndaj Irlandës së Veriut, në një sfidë që nuk prodhoi gol.

Në vajtje Zvicra dominoi në lojë e raste, ndaj sot pritej më e lehtë, por rezultoi e kundërta, sepse Irlanda e Veriut luajti me guxim dhe me zemër. Që në fillim irlandezo-veriorët i shkuan shumë pranë golit, fillimisht me Brant dhe më pas me Xhoni Evans, ndërsa Zvicra u zgjua me kalimin e minutave dhe e kuptoi se nuk mund të luante 90 minuta në mbrojtje.

Megjithatë, njeriu i ndeshjes ishte portieri Jan Somer, i cili shpëtoi disa herë Zvicrën, aq sa në 15 minutat e para pati më shumë punë se në gjithë ndeshjen e vajtjes, me një Irlandë të Veriut krejtësisht të transformuar.

Gjithsesi, Zvicra tregoi edhe futboll të mirë dhe krijoi lojë e raste, duke gabuar vetëm në konkretizimin e rasteve për shënim. Tifozët vuajtën deri në fund, por gol nga Irlanda e Veriut nuk erdhi dhe në fund Zvicra nisi festën, Moska e pret! Sa për Irlandën e Veriut, duke parë paraqitjen e shkëlqyer në bazel, ai gol i pësuar në Belfast do të mbetet peng për shumë vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *