Jo vetëm në Serbi, por edhe në shumë shtete të tjera të Europës pritej që kjo Kombëtare të shkonte larg në Botëror. Pas suksesit të arritur me Portugalinë në rrugën e mbërritjes për në Katar, por kryesisht për shkak të emrave të lojtarëve që kanë në organikë dhe kampionateve ku luajnë, Serbia pritej të ishte surpriza e madhe e Botërorit.
Një tjetër dështim erdhi për ta pasi u eliminuan sërish në grupe. Për t’ia bërë më të dhimbshme situatën, ishte sërish Zvicra e shqiptarëve. Por çfarë ndodhi që Serbia dështojë në këtë mënyrë? Në Serbi kanë gjetur një shpjegim të çuditshëm në një emision dhe kjo video është bërë virale.
“Unë e dija që nuk do të kalonim grupin. Shtrigat erdhën në Katar para se të niste Botërori, shkuan në hotelin ku do të qëndronte Kombëtarja e Serbisë për të përgatitur terrenin. Pyetja është se pse lojtarët tanë nuk sollën njeri? Ne nuk kemi nevojë për një magjistare, po pse nuk kishte priftërinj?
Është video e një gruaje që po bën magji, programi i saj ishte shkatërrimi, bëri magji mbi të gjithë lojtarët. Nuk do t’i fal brazilianët për atë që i bënë Serbisë. Ne që jemi pjesë e kësaj dhe e njohim njëri-tjetrin e dimë se për çfarë bëhet fjalë, u dërgova dhe një mesazh. Por edhe Zvicra kishte magjistarë me vete, dy ishin nga Shqipëria. Pastaj magjistarët e tjerë që kishim marrë ata janë nga ata që paguhen 10 milionë euro”, tha i ftuari në emision. Shumëkush qeshi dhe nuk u përmbajt dot, por i ftuari ishte shumë serioz në atë që po e shtronte si diskutim përpara kamerës. /Sport Ekspres/