Zoran Zekic ndodhet në të njëjtën situatë si trajneri i Interit në sezonin e shkuar, a do të ketë të njëjtin fund të lumtur?

Dështimin dhe suksesin e ndan një vijë fare e hollë në futboll. Ndodh shpesh që për trajnerët të ketë superlativat më të mëdha, por pas një zhgënjimi dhe rezultati të dobët, të flitet negativisht për të.

Trajneri i Partizanit, Zoran Zekic, ndodhet thuajse në të njëjtën situatë si Inzagi në sezonin e shkuar. Teksa situata kishte shpërthyer dhe pakënaqësitë ishin të mëdha në mes të lojtarëve, Inzagi dhe drejtuesit e klubit vendosën që të harronin çdo gjë për disa momente, deri në eliminim nga Champions League dhe më pas do të diskutonin për pakënaqësitë.

Largimi i Inzagit ishte thuajse një mision i kryer, por kërkonte kohën e tij për zyrtarizim. Një situatë anormale teksa trajneri do të hiqej pasi kishte shkuar në gjysmëfinale të Champions League dhe nëse do të flitej para nisjes së sezonit të shkuar për një skenar të ngjashëm, askush nuk do ta besonte dot.

Me fatin e madh në rrugëtim dhe me fitoren e një “finale” të madhe, më saktësisht në gjysmëfinalen e Champions League kundër Milanit, situata ndryshoi tërësisht. Inzagi fitoi dashurinë e tifozëve dhe bindi të gjithë ambientin zikaltër për të vazhduar qëndrimin te Interi.

Po i njëjti paralelizëm mund të hiqet edhe për Zoran Zekic. Nëse do të flisnim për Partizanin që do të shkonte në Play Off të Conference League para nisjes së rrugëtimit në Europë, të gjithë do të mendonin se Zoran Zekic do të ishte “i paprekshëm”.

Por për mënyrën sesi shkoi rrugëtimi i Partizanit me fatin e madh në short deri në momentin e Play Off kundër Astanës, situata është tërësisht ndryshe. Ndoshta pakënaqësia nuk është aq e madhe sa situata të shpërthejë si te Interi në sezonin e shkuar, por edhe në rastin e Zekic është e dukshme që disa lojtarë nuk po i përgjigjen, Partizani luan gjithmonë vetëm në një fraksion kohe, asnjëherë 45 minuta të njëjta, për të mos kërkuar 90 minuta të njëjta.

Nëse Partizani do të eliminohej nga Astana, do të binte i gjithë rrugëtimi në Conference League dhe arritjet e Zekic do të zhvlerësoheshin. Me siguri që kroati do të vazhdonte të mbetej trajneri i Partizanit, por duke u parë me shumë vëmendje nga drejtuesit edhe për një largim të mundshëm të tij nëse do të ketë disa rezultate negative në nisje të kampionatit.

Këtë herë është edhe vetë struktura e kampionatit që ta lejon këtë luks, mjafton të dalësh në katër vendet e para pas 36 javëve, nuk kërkohet më vendi i parë. Edhe për këtë arsye do të kemi më shumë lëvizje të trajnerëve, më shumë nga më parë.

Por nëse Zekic do të fitojë kundër Astanës, emri i tij do të shkruhet në historinë e Partizanit dhe do të jetë “i paprekshëm”. Shumë të ardhura do të vinin në buxhetin e klubit, pa harruar edhe ndeshjet e prestigjit në Conference League. Zekic ndodhet në mes dy ekstremeve, dashuri dhe urrejtje, rruga e mesme nuk duket të jetë për kroatin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *