“Zonë e ndaluar”! Skënder Gega ishte për notën 10 në debutimin e Skënderbeut, ja çfarë shkaktoi habi te korçarët

Në sezonin e shkuar do t’i shkonte trofeu i kampionit Edi Martinit, por një dorë në të e meritonte padyshim edhe Migen Memelli. Ky i fundit i befasoi të gjithë për mënyrën sesi mbijetoi me Skënderbeun e tij, teksa të gjithë ishin të sigurt se fundi kishte mbërritur për korçarët.

Por në këtë sezon gjërat nuk shkuan shumë mirë. Ndoshta në një ekip që është i dënuar dhe nuk mund të futet në Europë, motivet e reja gjenden edhe duke ndërruar trajnerin, për të ndryshuar në një farë mënyre edhe emocionin te lojtarët.

Skënder Gega rezultoi gjetje e goditur, të paktën në debutimin ndaj Laçit. Skuadra e vendit të dytë në Superiore i kishte rastet me pikatore, ndërsa vlen të theksohet se ndeshja luhej në transfertë për Skënderbeun.

Në organizimin taktik të mbrojtjes, korçarët ishin për notën “10”. Laçi nisi që të tentonte nga distanca, si mundësia e vetme për të arritur te goli. Në këtë mënyrë e tundën rrjetën në minutat e fundit, atje ku nisi edhe festa e madhe si të ishte fituar titulli kampion, duke treguar qartazi çlirimin e tyre.

Por në fund VAR e anuloi golin. Një pikë e marrë dhe shpresa e rritur për Skënderbeun se gjendja do të ndryshojë me kalimin e ndeshjeve. Për më tepër, fakti se korçarët kanë shumë lojtarë të rinjë në ekip e bën Gegën që të ndihet edhe më mirë, pasi në të kaluarën ka drejtuar edhe Shpresat e Shqipërisë, me aftësinë e mëparshme për të “kalitur gur” që marrin ende formë.

Sa i përket surprizës më të madhe, ishte fryma e futur te lojtarët në vetëm pak ditë. Nëse më parë kemi parë Skënderbeun që protestonte i gjithi për një rivënie anësore të padhënë, këtë herë situata ishte ndryshe. Pas faullit të Velkovskit si lojtari i fundit ku arbitri fillimisht ia kurse kartonin e kuq, u pa vetëm një lojtar i Skënderebut që i kërkoi në qetësi arbitrit se duhej të shihte sërish rastin.

Kështu VAR ndërhyri dhe mbrojtësi i Laçit do të dilte nga fusha e lojës para kohe. Pra një ndryshim edhe në këtë aspekt, një ndryshim ky i paralajmëruar pasi të njëjtën filozofi Gega e ndoqi edhe te Partizani kampion: “Asnjëherë nuk merremi me arbitrat”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *