Trajneri i Realit të Madridit arrin profesorin e Milanit. Në 512 ditë tekniku francez arrin të fitojë dy herë radhazi Ligën e Kampioneve
I kanë mjaftuar vetëm dy vjet në krye të Realit të Madridit si trajner dhe Zinedin Zidan është kthyer menjëehrë në një legjendë. Pas alegrisë që u ka dhuruar tifozëve të Realit në fushë si lojtar, me elegancën e tij të papërshkrueshme, Zidan shumë shpejt ka kapur majat edhe si trajner. Teksa fitonte në sezonin e kaluar Ligën e Kampioneve në një finale betejë përballë Atletikos së Madridit nga lotaria e penalltive, të shumtë ishin ata që e cilësonin veçse një shans suksesin e Zizusë.
Por me punë të palodhur dhe me një qetësi të “frikshme”, francezi arriti të bënte atë që askush nuk kishte mundur ta bënte deri më sot, të fitonte dy herë radhazi Ligën e Kampioneve, që pas ndryshimit të formatit të këtij kompeticion në vitin 1992. Finalja e mbrëmshme është fituar me klas dhe me një dominim të padiskutueshëm. Zinedin Zidan ka shuar edhe ato pak hije dyshimi që qëndronin mbi figurën e tij si trajner. Reali i tij ka shpartalluar Juventusin 4-1, duke i shënuar më shumë gola bardhezinjve sa nuk i kishte pësuar kjo skuadër deri në mbërritjen në finale (vetëm 3 gola).
Si Saki – E duke qenë se jemi tek rekordet, në morinë e rekordeve të vendosura mbrëmë nga Reali i Madridit, mes tyre është dhe trajneri Zinedin Zidan. Francezi është bërë i pari trajner pas Arrigo Sakit që arrin të fitojë dy herë titullin kampion Evrope. Profesori italian fitonte dy herë radhazi Kupën e Kampioneve me Milanin – në formatin e vjetër të saj – në sezonin 1988-1989 dhe 1989-1990. Teksa 27 vjet më pas është Zinedin Zidan që fiton dy herë radhazi Ligën e Kampioneve – në formatin e ri të saj – me Realin e Madridit. Në sezonin 1988-1989, Milani shpartallonte Steuan e Bukureshtit në Barcelonë me shifrat 4-0, me dy gola të Rud Gulit dhe dy të tjerë nga Marko Van Basten. Ishin vitet e arta të Milanit të Sakit, që një vit më pas përsëritej, këtë herë në Vjenë, në “Prater Stadion”, ku mundte Benfikën me një gol të Frenk Rajkard në pjesën e dytë.
Duhej të kalonin 27 vjet që të dilte një tjetër trajner që të përsëriste suksesin e maestros italian dhe ai është Zinedin Zidan. Tekniku i Realit ka arritur të fitojë këtë trofe në vitin 2016 me Realin, në finalen kundër Atletikos së Madridit dhe mbrëmë ka shënuar me germa të arta emrin e tij në librin e historisë së Ligës së Kampioneve me suksesin 4-1 kundër Juventusit.