Koha për vizitat mjekësore dhe pasditen e sotme firma e më pas prezantimi. Pas Emre Xhanit dhe portierit Perin, Juventusi bën goditjen e tretë në merkato, sepse ka arritur marrëveshjen me Valencian për blerjen përfundimtare të Zhoao Kanselos.
Mbrojtësi portugez, i përfaqësuar nga agjenti i njohur Zhorzh Mendesh, në sezonin e fundit luajti në huazim për Interin, ndërsa tani do të kalojë nga Valencia te Juventusi për 40 milionë euro.
24-vjeçari, anësor me cilësi mjaft të mira, i shfaqi ato në pjesën e dytë të sezonit dhe Interi dëshironte ta blinte, por nuk kishte mundësi të shpenzonte aq shumë, i bllokuar nga rregullat e Fair-play financiar.
Tani Kanselo vishet bardhezi dhe do të firmosë kontratë 5-vjeçare, me 3 milionë euro në sezon. Një goditje shumë e rëndësishme për Juven, që përforcon ndjeshëm krahun e djathtë të mbrojtjes dhe gjithashtu tregon edhe një herë se përtej aspektit sportiv, është klubi më i fortë në Serinë A mbi të gjitha për financat.