Falimenton klubi i njohur italian. Fabio Sakaj & Co do të duhet të gjejnë skuadër, edhe pse në këtë pikë të sezonit nuk është e lehtë. Dikur, në fokusin e Bogdanit për U-19
Anton Cicani
Një tjetër emër i madh i futbollit italian, klubi i Modenës, skuadër ku ka stërvitur për katër vjet dhe Xhani de Biazi, ka falimentuar dhe është përjashtuar nga kampionati i kategorisë së tretë italiane, pra Serie C, pasi ankandi për shitjen e aksioneve ka mbaruar dhe nuk kishte asnjë blerës. Një histori, ajo e kanarinave, 105 vjet e gjatë, teksa në mes janë edhe 28 sezone në elitë, në Serinë A.
Dhe, nëse tifozët e dinin fundin tragjik, duke bërë arkivolin, pritej vetëm akti final, që si në librat shekspirianë, ka ardhur atëherë kur duhej… Tashmë, do të duhet ta nisë nga diletantët, ashtu si ndodhi me Parmën, që e mori veten dhe tani është duke luftuar në Serinë B.
Por, mes futbollistëve që kanë mbetur në mes të katër rrugëve dhe pa skuadër është edhe një emër i njohur për shqiptarët, talenti Fabio Sakaj, vetëm 19 vjeç dhe i konsideruar si mesfushor me talent, aq sa edhe Juventusi mendoi për të. Në fakt, Sakaj ishte pranë transferimit te Verona, por nuk është e thënë që ky kalim të mos bëhet, pasi tashmë mesfushori ka mbetur pa kontratë, pasi Modena u përjashtua nga kampionati dhe ka mbetur pa stadium dhe sidomos pa ekip…
Sakaj ka lindur në Alatri, më 2 shkurt 1998 nga prindër shqiptarë, duke u transferuar më pas në Pavulo në Frinjano, qytet që i dha jetë edhe një kampioni bote me Italinë, Luka Toni (Botërori 2006).
Dhe, pikërisht në Emilia nis aventura e Sakajt me topin, duke luajtur me Pavulezen, përpara se të kalojë te të rinjtë e Modenës, aty ku fërgohet nga Hernan Krespo, te Primavera, dhe më pas kalon te ekipi i parë. Madje, ai ka qenë në radarin edhe të Erjon Bogdanit.