Pak kush mund ta vërë në diskutim që Kristiano Ronaldo tek Juventus do të mbajë një numër tjetër veç atij që mbante tek Reali, pra numrin 7. Portugezi, në Torino pritet që t’i marrë numrin Kuadrados, ose më saktë mund të thuhet se diçka e tillë ka ndodhur.
Menjëherë sapo është bërë publikimi se Ronaldo është zyrtarisht i bardhezinjve, tifozët kanë vërshuar në dyqanet e klubit për të marrë bluzën e Ronaldos që mbante numrin 7. Në këtë mënyrë është zhdukur nga qarkullimi bluza e kolumbianit, që mbante këtë numër deri para mbërritjes së portugezit.
Ndoshta dhe klubi mund të jetë nxituar, duke mos treguar respekt ndaj lojtarit të tyre, por kur bëhet fjalë për Ronaldon, gjërat ndryshojnë. Kuadrado tani ka dy zgjedhje, ose të marrë një tjetër numër, ose në të kundërt, nuk është çudi që kjo situatë të bëhet shtysë për t’u larguar nga kampionët e Italisë. Juventus po i sheh fitimet e afrimit të Ronaldo, pasi dje blerjet online ishin aq të shumta saqë u bllokua rrjeti.