Gëzim Beqiri
Është mësuar ditën e djeshme se data 20 korrik do të jetë data kur ekipi i Luftëtarit do të fillojë fazën përgatitore. Nuk është thënë zyrtarisht si edhe në rastet e tjera kur ka zhvillime në këtë ekip, por mësohet se janë zhvilluar kontaktet me disa futbollistë, duke ua bërë të njohur datën e fillimit të stërvitjes. Sa i takon merkatos, janë disa futbollistë të rinj nga ekipet e tjera, kryesisht nga Kategoritë e Parë, por emrat nuk bëhen me dije pa përfunduar marrëveshjet me ta.
Luftëtarit i mungon ende stafi teknik dhe duket se kjo është arsyeja që shtyhet dita e fillimit të fazës përgatitore. Trajneri Milinkoviç, edhe pse zyrtarisht është pjesë e Luftëtarit, ende nuk është parë në Gjirokastër dhe zgjidhja e çështjes së stafit teknik është shumë e rëndësishme. Në dilemë janë shumë futbollistë të rinj gjirokastritë, të cilit ishin pjesë e Luftëtarit U-19, ku tetë prej tyre për arsye moshe nuk mund të vazhdojnë më me këtë skuadër. Asnjë prej tyre deri tani nuk ka hyrë në bisedime me drejtuesit e klubit për të vazhduar me Luftëtarin, por vetëm u është premtuar se do të jenë bashkë me futbollistët e tjerë në ditët e grumbullimit dhe do të jetë stafi teknik që do të vendosë për të ardhmen e tyre.
Luftëtari një sezon më parë nuk kishte në përbërje asnjë futbollist vendas, edhe pse shumë nga radhët e të rinjve nuk bënin shumë diferencë në lojë me ata futbollistë që erdhën në merkaton e një viti më parë. Shumë prej tyre erdhën me shumë bujë në skuadër, por pak u aktivizuan në lojë, me përjashtim të Rexhinaldos dhe Bojom. Megjithatë edhe këta të dy nuk janë të sigurt se do të qëndrojnë në Gjirokastër. Me vendosjen e stafit teknik do të përzgjidhet edhe grupi i lojtarëve me të cilët Luftëtari do të përfaqësohet në Superiore.
Data 20 korrik, nëse nuk shtyhet si në raste të tjera, është e mjaftueshme për fillimin e fazës përgatitore, pasi kampionati nis në fillim të shtatorit.