Për t’i “shpëtuar” shërbimit ushtarak, është gjetur kjo mënyrë dhe mesfushori do të bashkohet përfundimisht me korçarët
Gjatë ndeshjeve europiane ka rënë në sy mungesa e një lojtari të talentuar si Reza Karimi. Ai ka munguar në stërvitjet që ka zhvilluar trajneri Ilir Daja gjatë periudhës verore, por edhe në ndeshjet në Europa League. Problemi i tij lidhet me kryerjen e shërbimit ushtarak në Iran. Burime pranë klubit konfirmojnë se gjithçka është zgjidhur tashmë dhe Reza Karimi shumë shpejt, jo vetëm do të kthehet te Skënderbeu, por nuk ka për të pasur më probleme me vendin e tij.
Mesfushori Karimi, sipas ligjeve të shtetit të vet, duhet të kryente shërbimin ushtarak dhe duke qenë se ndodhej në Shqipëri dhe luante për Skënderbeun, duhej të paraqitej të paktën një herë në muaj në Iran, për të qëndruar aty disa ditë dhe më pas kthehej sërish. Kjo bëri që edhe vetë lojtari të ndihej shumë i lodhur dhe t’ia faturonte fajin menaxherit të tij, që nuk e zgjidhte dot këtë problem. Udhëtimi i fundit në Iran dhe qëndrimi atje për më shumë se një muaj, duket se është zgjidhur përfundimisht. Reza Karimi do të nisë shkollën e lartë dhe kjo do të thotë se do të ndërpritet shërbimi ushtarak dhe lojtari do ta ketë më të lehtë të qëndrojë vetëm te Skënderbeu.
Nuk dihet, nëse shkollën e lartë Karimi do të kryejë në Iran apo në Shqipëri, por e rëndësishme është se shumë shpejt mesfushori do të rikthehet te Skënderbeu. Logjikisht, i bie ta bëjë në Shqipëri, sepse po ta bënte në Iran, duhej të ishte atje edhe fizikisht. Ribashkimi me grupin i jep mundësi lojtarit të rifitojë formën e tij fizike dhe ta shikojmë të gjithë se cili është talenti, që mbërriti me mjaft bujë në Shqipëri, por që nuk u stabilizua për asnjë moment. Më shumë duhej të ishte në Iran se në Shqipëri.