Gjashtë klube të kampionatit kanë dalë hapur pro Dukës, 3 kundër dhe 1 deri tani është në mëdyshje. Me sa duket, pavarësisht kontestimeve gjatë garës drejtuesit e klubeve në Shqipëri vazhdojnë të besojnë se Duka është njeriu i duhur për të menaxhuar aktivitetin e tyre
Teorikisht, pas 16 vitesh që është konsideruar “menaxheri i kampionatit”, Armando Duka do kishte krijuar kaq shumë të pakënaqur, sa do vinte një ditë që klubet e mëdha në unison mund pse jo të dilnin kundër tij në një garë zgjedhore e cila është në kulmin e saj. Sondazhet e para tregojnë krejtësisht të kundërtën. Gjashtë klube të Kategorisë Superiore, 4 madje duke e propozuar në mënyrë direkte, kanë shfaqur hapur simpatinë për presidentin aktual të federatës. Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Laçi, Kamza dhe Vllaznia do ta votëbesojnë kreun aktual, me bindjen se pavarësisht se mënyra e tij e drejtimit në ndonjë rast dhe mund t’i ketë cenuar, ata vazhdojnë të besojnë se ai është njeriu për të koordinuar dhe menaxhuar një garë e cila në mënyrë të pashmangshme herë pas herë do ketë të pakënaqur në varësi të rezultateve të munguara, sjelljes së gjyqtarëve apo problematikës që futbolli në përgjithësi shfaq, sidomos kur nuk arrin objektivat. Lushnja, Partizani dhe Flamurtari hapur kanë deklaruar një votë kundër – automatikisht në favor të Finos – ndërkohë që Luftëtari me sa duket ende nuk është prononcuar qoftë dhe jo zyrtarisht për preferencën e vet.
Ajo çka duhet kuptuar nga këto sondazhe të para është fakti që me sa duket klubet nuk votojnë me mbartje emocionale në garë e sipër. Kukësi në mënyrë të përsëritur në këto vite e ka akuzuar federatën për njëanshmëri në garë, ndërkohë që Skënderbeu sidomos sezonin e shkuar pati një konflikt të hapur me federatën. Ata thanë që gjyqtari më i mirë në vend vendosi kampionatin, i akuzoi gjyqtarët në përgjithësi si të korruptuar dhe u ndjenë shumë të fyer nga vendimi i FSHF-së për t’u hequr titullin e para dy viteve e madje-madje e çuan FSHF-në dhe vendimin e Komisionit të Etikës në gjykatën e Lozanës, CAS. Laçi shpesh është ankuar për dënimet kundrejt tyre, aq sa presidenti disa vite më parë u dënua me 2 vjet për të mos parë asnjë ndeshje në stadium, ndërkohë që Kamza ndër vite e ka akuzuar federatën që sipas tyre ishte ajo që e pengonte për të mos shkuar në Superiore. Luftëtari i bëri një thirrje publike dukës për të reflektuar me gjyqtarët, ndërsa Teuta është ankuar një vit rresht për mënyrën e ndarjes së fondeve. Atëherë si ka mundësi që gjithë këta të pakënaqur – përfshirë këtu edhe Vllaznia, në gen një klub opozitar – praktikisht do votojnë sërish për Dukën?
Më shumë se ndonjë moment i garës, ndonjë trofe i pafituar apo pakënaqësi ndoshta dhe me të drejtë, shumica e klubeve kanë vendosur të mendojnë në dy plane. Nën drejtimin e Dukës klubet e tyre kanë përfituar sistematikisht investime në infrastrukturë, ndihmë nga ana ligjore, ndihmë nga ana financiare, trajnime dhe relativisht një metër të njëjtë gjykimi. Logjika e zgjedhjeve thotë që një anëtar voton duke gjykuar punën e paraardhësit dhe pritshmëritë e sfiduesit. Në rastin konkret klubet e Superiores i kanë vënë në peshore të dy këto elemente. Ata ndihen më të sigurt në investimin e tyre nëse Duka është ende president. Pavarësisht se në garë e sipër me siguri kanë pakënaqësitë e tyre dhe ndoshta do fillojnë ta akuzojnë Dukën që ditën e parë që ai do rivotëbesohet si president.