Mesfushori i Kukësit, Hair Zeqiri, ishte lojtari më i mirë në fushë për ndeshjen e sotme mes Partizanit e Kukësit, sipas vlerësimit të gazetarëve në Supersport. Në fakt, vlonjati ishte i transformuar në këtë takim, sepse vrapoi sa për dy, krijoi dhe ndihmoi mbrojtjen, duke treguar se fizikisht po arrin formën perfekte, diçka për të cilën ka shumë nevojë. Pas ndeshjes ai deklaroi: “Jam shumë i kënaqur, jo vetëm nga paraqitja ime, por e gjithë skuadrës, duke nisur nga Koliçi. Ishte një ndeshje shumë e mirë, që na kënaq, edhe pse ndoshta mund të merrnim diçka më shumë.
“Kemi ndryshuar shumë këtë verë, edhe ardhja e trajnerit të ri kërkon kohë dhe skuadra duhet të përshtatet me skemat dhe lojën. Unë kam qenë edhe më parë te Kukësi, ndaj e njoh ambientin, por ka lojtarë të tjerë që kanë më shumë nevojë për kohë. Trajneri po punon shumë dhe flasim gjithë kohën për të mësuar idetë e tij, ndaj duhet pak kohë”.
Kukësi dhe titulli? “Kemi po aq shanse sa kishim një vit më parë dhe në fund Kukësi e fitoi titullin. Është ende herët për të dhënë gjykim për sezonin e ri, por duke parë përbërjen e skuadrës, synimi është fitimi i titullit kampionat dhe jemi në rrugën e duhur. Diferenca me Kukësin e vjetshëm? Janë bërë ndryshime në skuadër dhe kjo kërkon kohë, por lojtarët e afruar janë cilësorë, ndaj mendoj se i kemi shanset për t’u përmirësuar dhe për të shkuar te titulli”.