Asgjë shqetësuese për Uellisonin që zbret në fushë. Ze Maria vendos për skuadrën që do të luajë kundër Shënkollit
Olsi Avdiaj
Tjetër eksperiment bardheblu para sfidës me Shënkollin. Trajneri Ze Maria ka vendosur të surprizojë sërish me 11 lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës në sfidën me skuadrën e vogël nga rrethinat e Lezhës. Një ekip ndryshe, ku edhe të pakënaqurit do të kenë mundësi që luajnë nga minuta e parë e lojës. Një formacion që ka habitur edhe vet futbollistët. Në portë do të luajë Ilion Lika, por mund të ketë edhe një aktivizim të Alesio Abibit. Mbrojtja do të jetë e përbërë nga Klisman Cake e Uellison. Nga krahët do të luajnë Kërçiku e Çelhaka, ndërkohë që në mesfushë djathtas do të luajë Halili, ndërsa në të majtë Jurgen Vrapi. Qendra do të jetë e përbërë nga Qilimi e Daja. Sulmi do të jetë i bllokuar nga dyshja, Majkëll Ngo dhe Bedri Greca. Një skuadër e gjitha eksperimentale që asnjëherë nuk ka zbritur bashkë në një ndeshje zyrtare, por që trajneri Ze Maria do ta hedhë në fushë në sfidën me Shënkollin. 11-shja ka mundësinë të tregojë veten në fushën e lojës se mund t’ia dalë të fitojë edhe nëse nuk luajnë titullarët.
Rotacioni – Siç kuptohet trajneri Ze Maria ka vendosur që të bëjë rotacion para sfidës me Vllazninë. Me të gjitha gjasat do të jenë pushim Turtulli, Doka, Karabeci, Mauexhe, Sentamu e ndonjë tjetër, në varësi të zgjedhjeve përfundimtare. Të gjithë duhet të jenë në formë për takimin e së mërkurës së ardhshme.
Ia del Uellison – Lajme të mira vinë nga infermieria e Tiranës. Mësohet se dëmtimi i Uellisonit nuk ka dalë asgjë. Lojtari është stërvitur normalisht me grupin. Ka qenë vetëm një problem i vogël që ka kaluar pa asnjë problem. Nga ana tjetër Marvin Turtulli nuk do të luajë. Ai edhe pse është stërvitur normalisht do të qëndrojë pushim për këtë ndeshje, që të jetë gati për sfidën me Vllazninë më 29 nëntor në “Selman Stërmasi”.
Binguila – Më në fund është rikthyer në stërvitje edhe Hardi Binguila. Mesfushori ka lënë pas dëmtimin dhe është stërvitur me grupin. Ka qenë në formë, duke shënuar edhe gol në stërvitje, por gjithsesi pikëpyetjet mbeten. Deri kur lojtari do të stërvitet? Nga fundi i tetorit deri më sot lojtari është stërvitur disa ditë dhe më pas është kthyer sërish në bokse.