Disfata ndaj Bylisit nuk është kapërdirë ende nga Ze Maria. Trajneri i Tiranës, në konferencën e sotme për shtyp i është kthyer atij takimi, duke paralajmëruar skuadrën se nuk ka më hapësira gabimi: “Nuk luajtëm, nuk zbritëm fare në fushë dhe lojtarët e dinë këtë. Të gjithëve na vjen keq për atë humbje, sepse nuk mund të bënim një hap fals, por na shërbeu për të mësuar se nuk mund ta flemë mendjen. Çdo të dielë duhet të vrasim një luan dhe duhet të jemi të kujdesshem që të mos ndodhë më një gjë e tillë dhe për këtë ju jap garanci”.
“Nuk na lejohet të bëjmë dy ndeshje rresht si ajo ndaj Bylisit, sepse duhet të kemi resekt për tifozët, klubin dhe stafin. Në fushën e lojës, lojtarët duhet të bëjnë vetëm atë që aplikojmë në stërvitje dhe asgjë tjetër. Kam besim se gjërat do të përmirësohen, duke nisur që nga ndeshja e radhës.
“Formacioni? Nuk mund ta jap tani, por diçka do të ndryshojë. Skuadra nuk mund të nënvlerësojë asnjë kundërshtar. Duhet t’i respektojmë të gjithë kundërshtarët dhe duhet të fitojmë përherë, të paktën në shtëpinë tone, këtë nuk e pranoj më.”
Ze Maria ndalet edhe tek Albi Doka, talenti bardheblu që po has disa vështirësi: ”
“Doka, ashtu si shumë të rinj të tjerë në këtë skuadër duhet të rritet. Problemi më i madh që gjeta kur erdha ishte se mendnte që kishte arritur maksimumin, kjo për shkak edhe të elozheve të mediave, klubit dhe tifozëve. Duhet të punojë shumë sepse është një diamant që duhet gdhendur, prandaj i kërkova klubit që ta mbante”.