Zbulohet vendi i fazës përgatitore të Tiranës, miqësore me Beneventon?

Tirana ende nuk e ka vendosur se ku do të zhvillojë fazën përgatitore. Drejtuesit e klubit kanë parë disa opsione, por ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar. Italia mbetet një pistë e pëlqyeshme, por njëkohësisht 24 herë kampionët e vendit kanë parë dhe në Maqedoni e Greqi. Italia duket pista më e mundshme, pasi këtë herë e sjellin në pah dhe mediet e vendit fqinj. Në një shkrim në lidhje me miqësoret e mundshme të ekipit të Beneventos, përmendet dhe Tirana si skuadër që mund të përballet me ta.

Ekipi i Beneventos do të zhvillojë fazën përgatitore në Kasshia, provincë e Peruxhias. Tirana mund të jetë ekipi tjetër që mund të vendoset aty, pasi “tvsette.net” shkruan: “Kundërshtarët e mundshëm të Beneventos mund të jenë Askoli, Sambenedetese, por dhe shqiptarët KF Tirana, të drejtuar nga braziliani Ze Maria, një njohje e vjetër e futbolli italian, duke pasur parasysh historinë e tij në Parma, Peruxhia dhe Inter”.

Me anë të këtij shkrimi mund të hidhet dritë dhe mbi fazën përgatitore që mund të zhvillojë Tirana. Ende nuk është saktësuar asgjë, por kompania që po merret me sistemimin e Beneventos në Peruxhia duket se po merret dhe me organizimin e fazës përgatitore të Tiranës. Ekipi bardheblu ka lëvizur në merkato, pasi ka afruar 2 lojtarët e parë Eni Imami dhe Dejan Blazhevski.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *