Një dyshim i madh u ngrit pas humbjes së Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, atje ku dardanët ishin pa futbollistët e tyre kryesor. Realisht nuk mundën të vinin Rrahmanin me Muriqin, apo zgjodhën që t’i jepnin përparësi karrierës së tyre pasi kaluan në ekipet gjigande si Napoli dhe Lacio?
Tifozët nuk do ta mendonin më gjatë për të shpërthyer, ndërsa rasti i Muriqit është edhe më i komentuari. Lacio doli me një reagim zyrtar se sulmuesi ishte negativ nga Koronavirusi dhe mund të vinte te Kosova. Por Muriqi u shpreh se kishte një dëmtim që e pengoi, ndërsa 24 orë pas ndeshjes së dardanëve luajti si titullar për miqësoren e Lacios.
Tanimë është trajneri në Kosovë, Musa Selimi, që për “KTV” zbulon edhe disa prapaskena: “Vedat Muriqi kishte disa zënka në përfaqësuese, ndërsa edhe Berisha po bënë disa gjëra që nuk mund t’i pranojmë. Ne nuk duhet të guxojmë për këto skena dhe duhet të reagojë trajneri me Federatën për t’i ndaluar”, ka thënë Selimi. /Sport Ekspres/