Flamurtari ka nevojë për një qendërmbrojtës. Tekniku Ilir Daja po studion mundësitë dhe kërkon me patjetër të përforcojë qendrën e mbrojtjes, pasi largimi i Ditmar Bicajt i ka lënë disi zbuluar. Klubi bregdetar kishte kontakte me ish-mbrojtësin e Partizanit, Gëzim Krasniqi.
Ky i fundit u duk afër klubit vlonjat, por gjërat kanë ndryshuar në momentet e fundit. Kavajasi nuk ka gjetur ende akordin me klubin e Flamurtarit. Burime pranë vlonjatëve tregojnë për “Sport Ekspres” se klubi nuk ka e kontaktuar më shtatlartin.
Mes palëve kishte interesim real, por duket se gjithçka është ndalur për momentin. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me Krasniqin që është në kërkim të një ekipi të ri dhe Flamurtarit që po kërkon me ngulm një qendërmbrojtës.