Ymeraj flet si krutan: Bindja për Kastriotin dhe largimi nga Kamza

Mesfushori Ersil Ymeraj u largua nga skuadra e Kamzës në merkaton e verës dhe iu bashku ekipit të Kastriotit. Shkodrani ka marrë numrin 10 në fanellë duke u konsideruar si një afrim i rëndësishëm dhe projektohet në formacionin e teknikut Elvis Plori. “Sport Ekspres” kontaktoi me 23-vjeçarin dhe e pyeti në lidhje me aventurën aktuale te Kastrioti dhe për largimin nga Kamza.

“U bashkova me ekipin e Kastriotit, pasi kisha nevojë të ndryshoja ambient. Kalova 4 vite të mira te skuadra e Kamzës, por mendova se duhej një tjetër stimul në karrierën time. Jam i kënaqur që iu bashkova krutanëve. Stërvitja? Jemi duke zhvilluar fazën përgatitore në Bullgari dhe gjithçka po shkon si duhet. Jam përshtatur shpejt me ekipin dhe mendoj se do të bëjmë mirë”.

I pyetur në lidhje me ndikimin e Elvir Plorit në kalimin e tij te Kastrioti, shkodrani nuk e fsheh diçka të tillë. “Prf. Plori ndikoi në ardhjen time këtu. E njoh mirë që nga koha kur isha pjesë e Akademisë së Vllaznisë. Ai më foli për projektin e tij te krutanët dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”.

Shkodrani flet dhe për objektivat e klubit të tij. “Si çdo ekip që vjen nga Kategoria e Parë, objektivi kryesor është që të qëndrojë në Superiore. Ne do të mundohemi të sigurojmë objektivin e parë dhe më pas të shohim se çfarë do të dalë rrugës”.

Nuk mund të mungonte një koment për Kamzën dhe largimin nga ekipi i Naim Qarrit. “Kam kaluar mirë te skuadra e Kamzës. Gjërat ndryshuan dhe mendova se do të ishte më mirë për mua që të ndryshoja ambient. I uroj suksese atyre. Probleme financiare? Nuk dua të flas më tepër. I uroj vetëm suksese Kamzës”, – tregon Ymeraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *