Ylli turk i NBA-së flet kundër Erdoganit, pasojat mund t’i imagjinoni

Basketbollisti turk i New York Knicks në NBA, Enes Kanter, ka dalë hapur kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, duke e kritikuar në media, ndaj reagimi i pritshëm i Turqisë ka ardhur: Kanter është shpallur armik, akuzohet se është anëtar i një organizate terroriste dhe i është kërkuar shtetit amerikan që ta ekstradojë urgjentisht në Turqi!

Ylli i Knicks ka marrë qindra kërcënime me vdekje ditët e fundit, duke u detyruar që të mos shkojë në Londër me ekipin e tij, nga frika e atentatit.

Kanter ka shkruar sot një opinion të publikuar në”The Washington Post”, ku bënte të ditur se nuk do të udhëtonte drejt Europës dhe arsyet e mungesës.

“Të enjten nuk do kem mundësi të punoj për ekipin tim, New York Knicks, që do të përballet me Washington Wizards në Londër. Është tepër e rrezikshme. Erdogan përdor Interpolin, organizatë me 194 vende anëtare, si një mjet për të arrestuar kritikët e vet në vende të tjera. Nuk kam ende nënshtetësi amerikane, apo pasaportë amerikane, çka do të më jepte mbrojtje, ndaj nuk mund të udhëtoj drejt Europës.

“Edhe po të kisha dokumente amerikane, nuk do udhëtoja këtë javë për në Britani, ku mund të rrëmbehesha apo vritesha nga agjentët e Erdoganit. Krahët e Erdoganit janë të gjata. Ai kap këdo që e kundërshton. Në 2017, skuadra e tij e sigurisë – ose gangsterë, siç i përshkroi Washington Post – rrahu protestues paqësorë jashtë rezidencës së ambasadorit turk në Uashington.

Situata në Turqi është bërë shumë e keqe që pas një grushti shteti të dështuar në 2016. Erdogan ka nisur një spastrim masiv, duke pushuar më shumë se 100.000 persona nga puna në administratën publike dhe duke burgosur më shumë se 50.000 persona, që nuk janë kriminelë, por gjykatës, akademikë, gazetarë, e të tjerë. Erdogan mendon se fjala e lirë është e rrezikshme dhe i akuzon kritikët e tij se janë terroristë.

“Kush flet kundër tij është shënjestër, edhe unë jam pa dyshim shënjestër. Erdogan kërkon të më kthejë në Turqi që të më mbyllë gojën.

“Në maj 2017 e kuptova se isha shënjestër të Erdoganit, kur në një kamp basketbolli për bamirësi në Indonezi i shpëtova për pak arrestimit, sepse qeveria turke kishte kërkuar ndalimin tim si person i rrezikshëm. Fluturuam me urgjencë nga Indonezi për në Singapor e më pas për në Rumani. Policia në Bukuresht më tha që nuk mund të futesha në vendin e tyre sepse pasaporta ime ishte bërë e pavlefshme nga qeveria turke.

“Për fat, senatorët e Oklahomas, ku unë luaja, më ndihmuan të kthehesha në Amerikë, ku zbulova se qeveria turke kishte nxjerrë një urdhër arresti për mua. Duan të më dënojnë me 4 vite burg se kam ofenduar Erdoganin në Twitter. Më akuzojnë se jam terrorist, për shkak se mbështet Fethullah Gulen, një klerik paqësor që jeton në mërgim në Pensilvani, sepse nuk kthehet dot në Turqi. Erdogan e fajëson për grushtin e shtetit, gjë që ai e ka mohuar gjithmonë.

“Para 4 muajsh qeveria turke nisi operacionet kundër mbështetësve të Gulenit në vendet e tjera. Marsin e shkuar Time raportoi se agjencia e inteligjencës turke kishte orkestruar rrëmbimin e 6 personave në Kosovë, të cilët u çuan në Turqi me avion privat. Për fat, unë kam shpëtuar, por shumë njerëz anembanë botës janë ndalur, rrëmbyer dhe më pas transferuar në Turqi, pasi qeveria turke kënaq dëshirat e Erdoganit.

“E dija që reagimet ndaj qëndrimeve të mia do të ishin të egra, por jo deri në këtë pikë. Kam marrë shumë kërcënime me vdekje, tani nuk dal dot më të shëtit i vetëm nëpër New York, farefisi im ka frikë nga reprezaljet dhe nuk më flasin, nuk shkova dot në Norvegji vitin e shkuar, për Forumin e Fondacionit të të Drejtave të Njeriut. Vendimi im për të mos shkuar në Angli është i vështirë në aspektin sportiv, por i lehtë në aspektin e sigurisë. Një diktator po shkatërron Turqinë, po vret e burgos mijëra njerëz dhe kjo nuk është një lojë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *