Sparta e Pragës ka thyer rekordin e futbollit cek, duke paguar 2.9 milionë euro për sulmuesin izraelit Tal Ben Haim.
Bëhet fjalë për futbollistin më të ri nga dy futbollistë me të njëjtin emër, me 27-vjeçarin që vjen nga një sezon fantastik te Makabi i Tel Avivit, ku u shpall lojtari më i mirë i sezonit.
Prej 4 sezonesh te Makabi, Ben Haim shënoi 15 gola në 29 ndeshje në kampionatin e fundit, duke shtuar edhe 3 gola në Europa League, 1 një kupë e 2 në kualifikueset e Kupës së Botës 2018 me Izraelin.
Një anësor ofensiv, Ben Haim kurrë në karrierë nuk kishte shënuar kaq shumë dhe Sparta e Pragës është bindur të paguajë një shifër rekord, pasi trajneri Andrea Stramaçoni e ka kërkuar me ngulm. Më parë dy rekordet e fundit të futbollit cek i kishte vendosur po Sparta, që kërkon me çdo kusht të kthehet te titulli dhe të ketë sukses edhe në arenën ndërkombëtare, ndaj ka shpenzuar rreth 7 milionë euro vetëm këtë verë.
Për Makabin është një humbje e madhe, por nuk është se i jep ndonjë avantazh Tiranës, duke parë cilësinë e Makabit dhe faktin që në sulm janë dy emra të frikshëm si Itzhaki e Kjartanson, 26 gola së bashku në kampionatin e fundit.