Barcelona është padyshim një nga klubet më të mëdha të futbollit dhe për shumë lojtarë është objektivi maksimal që duan të arrijnë në karrierën e tyre. Por të qenurit pjesë e një ekipi me përmasa të tilla jo çdo herë përkthehet me të njëjtën vlerë monetare. Shembulli këtu është Gavi, një 17-vjeçar që vetë trajneri Xavi e sheh si yllin e ri mbi të cilin duhet të mbështetet e ardhmja e katalanasve.
Megjithëse vlerat e tij po i tregon gjithnjë e më shumë në fushën e lojës, gazetarët spanjoll mësojnë se rroga e tij vjetore është vetëm 100 mijë euro. Një shifër mjaft e ulët kjo krahasuar me potencialin e tij dhe me milionat që shkojnë në llogaritë bankare të shokëve të skuadrës.
Pra shifra që Gavi përfiton në një muaj nga Barcelona shkon diku te 8400 euro, e krahasueshme edhe me pagën që fusin në xhepat e tyre disa nga futbollistët më të mirë të Superiores. Sasi të tilla nuk janë të panjohura për kampionatin shqiptar, por vetëm për ata që konsiderohen si futbollistë që mund të bëjnë diferencën në klubet e mëdha të futbollit tonë./Sport Ekspres/